
Një ditë më parë, u prezantua fronti më i ri opozitar brenda Partisë Demokratike nën siglën “IDE”. Një nga përfaqësuesit e kësaj nisme, Enno Bozdo, në studion e "Ditarit" në A2 CNN, shpjegoi me detaje se çfarë është dhe çfarë synon kjo iniciativë demokratike, që së shpejti do të konkretizohet me hapa konkretë. Sipas tij, në të janë angazhuar edhe njerëz jashtë politikës që ndjejnë nevojën e shndërrimit radikal të PD-së, në mënyrë që të mos jetë më monopol i askujt.
“Janë njerëz të paangazhuar sot në politikë që ndjejnë nevojën e shndërrimit radikal politik. Dje ishte vetëm prezantimi i kësaj nisme dhe së shpejti do të kemi hapa konkretë për t’i qëndruar fort asaj që thamë dje; që opozita nuk është më monopol i askujt. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të ndihmuar PD-në. E kemi quajtur “IDE” duke luajtur me fjalët se mendojmë që thelbi është ideja”.
Bozdo theksoi se PD-ja duhet të hapet dhe prandaj në këtë nismë janë të ftuar të gjithë që të japin kontributin e tyre, për ringritjen e PD-së dhe për të përfaqësuar sa më mirë shqiptarët. Sipas tij, sot PD-ja është tkurrur dhe i mungon lidershipi, por duhet të ndryshojë mënyrën e të bërit opozitë.
“Derën e kanë të hapur pavarësisht nëse është apo jo anëtar i PD-së. Rëndësi ka kauza dhe ideja. PD-ja duhet të ndryshonte mënyrën e të bërit opozitë, të gjithë aksionin politik, vetëm kështu mund ta çojmë PD-në në qeverisjen e vendit dhe ky vend është i dëshpëruar për një qeverisje të mirë të PD-së. Sot, PD-ja është tkurrur dhe i mungon lidershipi. Ne duhet të përmirësohemi ndjeshëm dhe një mënyrë thellësisht e ndryshme e të bërit opozitë. Nga kjo krizë dhe nga lëvizja e jona do të marrim më të mirën, do të ringrihemi për të përfaqësuar sa më mirë shqiptarët”.
Për Bozdon, kjo nismë nuk është çështje fraksioni brenda PD-së, por thotë ai, secili duhet të bëjë opozitën e tij dhe të mos mjaftohet me atë të partisë, në një kohë kur shoqëria është shumë hapa përpara opozitës dhe pret tjetër gjë nga ajo që po ndodh sot në PD.
"Brenda PD-së ka grupime njerëzish që mendojnë ndryshe për çështje të caktuara për sa kohë kjo konturohet brenda qendrës së djathtë dhe kjo vlen për të gjitha partitë. Ne mendojmë që opozita duhet të shpalosë një tjetër vizion të saj, mos të mjaftohemi me opozitën vertikale të partisë, por secili nga ne të bëjë opozitën e tij. Për sa kohë unë zgjedh të jem në opozitë dhe jam anëtar i PD-së, unë mund të bëj gjithçka dhe ta konkretizoj me veprime politike. Nuk e shoh si çështje të fraksionimit, por në sensin kulturor se si perceptohet opozita. Ne mendojmë që secili nga ne duhet të bëjë më shumë, nuk duhet të presim. Shoqëria është hapa përpara dhe pret tjetër gjë nga ajo që po ndodh sot në PD. Ndërsa shpresat janë të mbyllura me Ramën, shoqëria është në neurozë për të ndryshuar realitetin dhe me njerëz me ide të pastra, ky kontribut do ta ndihmojë PD-në”.
Sa i takon përplasjes mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit demokrat Lulzim Basha, Bozdo shprehet se problematika kryesore qëndron në mënyrën e të bërit opozitë, e cila ekzistonte edhe ku ata ishin në të njëjtën llogore politike. Sipas tij, ka ardhur koha që opinioni të kuptojë që nuk është përplasje mes kryetarit e ish-kryetarit, por ka kërkesën e demokratëve për opozitë më të mirë dhe cilësore.
“Përplasja mes ish-kryetarit dhe kryetari është, por nuk është vetëm kjo. Problematika me mënyrën e të bërit opozitë të PD-së ka ekzistuar edhe muaj më parë, kur kjo përplasje nuk kishte ndodhur, por edhe kur ndodheshin në të njëjtën llogore politike. Këto çështje i kemi parë me shqetësim. Partia ka vajtur drejt një thatësire burokratike dhe nuk është e aftë të marrë dhe transmetojë sinjale në shoqëri. Ka shumë njerëz të talentuar dhe me integritet profesional që e kuptojnë që Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu, se në krye të 5 vjetëve nuk do të mbetet më njeri i saktë, dhe vendi shkon në falimentim, atëherë ose duhet të bëjmë diçka ose do ikim të gjithë. Sot, ka ardhur koha që opinioni të kuptojë që nuk është përplasje mes kryetarit e ish-kryetarit, por ka kërkesën e demokratëve për opozitë më të mirë dhe cilësore. Problemi ynë është opozita cilësore, jo përplasja mes dy njerëzve. Problemi ynë është hapja e PD-së. Ne duhet të përmirësohemi ndjeshëm dhe në një mënyrë thellësisht të ndryshme të të bërit opozitë. Pavarësisht se kush flet apo jo, shumica ndajnë këtë mendim dhe ne konkretizojmë sot diçka që kemi vite që e mendojmë. Shoqëria nuk duhet të shohë një përplasje mes dy njerëzve, por PD është futur në proces transformimi të pandalshëm”.
Sipas tij, reforma territoriale, kodi zgjedhor dhe ligji i referendumeve janë kauzat e ditës së opozitës dhe PD-së dhe duhet të ishin çështje kryesore që duheshin ngritur, pavarësisht se aktualisht bien në vesh të shurdhët të mazhorancës. (A2 Televizion)