Konflikti Basha-Berisha, Agron Duka: Nga problemet e brendshme PD ka harruar aleatët

Nga A2 CNN
28 Shtator 2021, 19:32 | Politikë
Konflikti Basha-Berisha, Agron Duka: Nga problemet e brendshme PD ka harruar

Agron Duka mbështet demokratët për rishikimin e reformës territoriale, por sheh të nevojshëm një sqarim paraprak nga aleatët e tij.

“PD duhet të bëjë autokritikë se pse nuk mori pjesë në ndarjen territoriale, aty ku duhet të jenë të gjitha forcat politike. Duke pasur një kundërshti brenda këtij grupi do të kemi një produkt shumë më pozitiv”, tha Duka.

Si vëzhgues në distancë i përplasjes Berisha-Basha, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste gjykon se pasojat po tejkalojnë oborrin e PD-së.

“Duke pasur problemet e brendshme, PD nuk ka shumë kohë të merret me aleatet. Shoh që problemet e brendshme do marrin një kohë relativisht të gjatë”, theksoi Duka.

Foltorja e radhës e Berishës do të jetë në qarkun e Durrësit, aty ku edhe Duka fitoi mandatin e deputetit nga listat e PD. A do të jetë ai pjesë e këtij takimi? “Këto janë përplasje të brendshme të PD. Për shumë arsye, unë kam 8 vjet që qëndroj në aleancë me PD si institucion, jo me njerëz të veçantë. Përgjigja ime do të ishte jo, nuk do të jem”.

Muajt e fundit është përfolur mbi mundësinë e një bashkëpunimit të tij me socialistët në të ardhmen, Duka nuk mohon, por thekson se çdo gjë përqendrohet në iniciativat që ai do të propozojë në parlament.

Për A2 CNN, ai tregoi se ka gati 2 projektligje. I pari do të jetë me ndryshime në ligjin për bujqësinë që thotë se nuk është prekur që nga viti 2007. Propozimi i dytë është për ndryshimin e skemës së TVSH për shitjen e produkteve bujqësore nga 6% në blerje dhe 20% në shitje që është tani, të barazohet në blerje e në shitje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos