
Kremlini është i fokusuar tek Shtëpia e Bardhë. Sipas Maggie Haberman, analiste politike e CNN “një zyrtar i zbulimit tha se Rusia po ndërhyn ose po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e 2020-tës, me qëllimin për të rizgjedhur Trump”.
Javën e kaluar ligjvënësit u informuan se Rusia po sulmon infrastrukturën zgjedhore amerikane sipas një burimi me dijeni për çështjen.
“Kjo i zemëroi republikanët në komisionin e zbulimit dhe kur presidenti u informua mbi rastin, u mërzit shumë”, shton Haberman.
Një burim thotë se presidenti amerikan Donald Trump u zemërua nga fakti se kryetari i komisionit të zbulimit në dhomën e përfaqësueseve, Adam Schiff u lejua në seancën informuese. Demokrati tha në një postim në Twitter se nëse presidenti pengon raportimet e inteligjencës në Kongres, ai minon përpjekjet për të ndaluar ndërhyrjet e huaja në vend.
Paralajmërimet për ndërhyrje të mundshme të Rusisë erdhën që në verë. “Rusët janë absolutisht të vendosur të ndërhyjnë ne zgjedhjet tona”, deklaroi atëherë Christopher Wray, drejtor i FBI.
Por për presidentin amerikan pretendimet janë të pabaza. “A e dini se kush më zgjodhi? Vetë unë. Rusia nuk ndihmoi aspak”, deklaron Trump. Kritikët demokratë po i kërkojnë partisë republikane të adresojë sa më shpejt çështjen. (A2 Televizion)