292 vite burg, Dumani tregoi krimet, SPAK kërkon dënimet

Nga Indrit Maraku
5 Nëntor 2026, 15:57 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në total 292 vite burg për 15 personazhe të njohur të botës së krimit, të pandehur në dosjen “Plumbi i Artë”. SPAK arriti të zbardhë disa ngjarje kriminale, nga vrasjet me paramendim te vjedhjet me dhunë, vrasjet e mbetura në tentativë dhe trafiku i drogës.

Ngjarjet e rënda u zbërthyen pas bashkëpunimit të tre të penduarve të drejtësisë, me kryesorin 36-vjeçarin Nuredin Dumani, për të cilin SPAK ka kërkuar në total 10 vite burg. Për dy të penduarit e tjerë të drejtësisë, për Erjon Alibejn janë kërkuar 15 vite burg dhe 13 vite për Skerdi Tasen.

Dënimin më të lartë, me 35 vite, SPAK e ka kërkuar për Henrik Hoxhajn. Për Enver Divën, Petrit Qolin, Besian Xhixhën dhe Altin Ndoçin janë kërkuar nga 25 vite burg, ndërsa për Asllan Plakun, Agron Doçin, Fatos Gosën dhe Xhulian Hoxhën nga 20 vite burg. Për Ardian Uzunin dhe Albert Pashajn, prokuroria ka kërkuar nga 15 vite burg, ndërsa për Gentian Sharrën 9 vite burg.

Operacioni “Plumbi i Artë” u zhvillua nga SPAK në mars të vitit 2022, pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, të cilët më pas vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë.

Dëshmitë e tyre zbardhën një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, përfshirë vrasje me pagesë, atentate të mbetura në tentativë dhe përplasje mes grupeve kriminale, kryesisht në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.

Nga hetimet e SPAK u zbardhën 18 ngjarje kriminale, ndërsa u identifikuan dhjetëra persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e grupeve kriminale. Mes ngjarjeve të zbardhura janë vrasja e Emiljano Ramazanit, ekzekutimi i vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës, vrasja e Fatmira Dedjes dhe ajo e Bujar Çelës në Elbasan. Hetimet zbuluan gjithashtu porosi për eliminimin e personave të tjerë, kundrejt pagesave që arrinin në qindra mijëra euro.

Një prej elementeve kryesore të hetimit ishte edhe përdorimi i platformës së enkriptuar Sky ECC, përmes komunikimeve të së cilës SPAK siguroi prova për organizimin dhe koordinimin e episodeve të ndryshme kriminale.

PRETENCA “PLUMBI I ARTË”

Nuredin Dumani – 10 vite burg
Erjon Alibej – 15 vite burg
Skerdi Tase – 13 vite burg

Bashkëpunëtorë të drejtësisë

Të pandehurit e tjerë

Henrik Hoxhaj – 35 vite burg
Enver Diva – 25 vite burg
Besian Xhixha – 25 vite burg
Asllan Plaku – 20 vite burg
Ardian Ozuni – 15 vite burg
Gentian Sharra – 9 vite burg
Agron Qoli – 20 vite burg
Petrit Qoli – 25 vite burg
Fatos Gosa – 20 vite burg
Xhulian Hoxha – 20 vite burg
Albert Pashaj – 15 vite burg
Altin Ndoçi – 25 vite burg

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos