
Derbi i Italisë është ndeshja që mbyll javën e shtatë të kampionatit italian. Inter-Juventus është dueli më i pritur nga tifozët. Një sfidë e pafund, që në këtë sezon rikthehet edhe si ndeshja direkte për titullin.
Me Antonio Conte-n në stol, zikaltërit janë të pamposhtur në kampionat, ku kanë regjistruar gjashtë fitore në po kaq ndeshje. Në anën tjetër, Juventusi i Sarrit ka dy pikë më pak në renditje, pëson më tepër gola se zakonisht, por ka një grup mjaft cilësor futbollistësh. Inter do të synojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe lojën agresive të ish-trajnerit bardhezi, për të paraqitur 60 minutat e shkëlqyera të lojës së shfaqur në Champions ndaj Barcelonës.
Conte luan kundër së kaluarës, për të hedhur baza të forta për të tashmen dhe për të ardhmen. Me synimin që ta rritë në 5 pikë diferencën nga rivalët, Interi do të mbështetet te Romelu Lukaku, i cili do të luajë përkrah Lautaro Martinez. Me mbrojtjen që nuk ndryshon dhe të konfirmuarit Barella, Sensi, Brozovic e Asamoah, ndryshimi tjetër në mesfushë mund të jetë aktivizimi i D'Ambrosios në krahun e djathtë për Candrevan.
Në anën tjetër, Juventus kërkon të marrë kryesimin, por edhe të ndërpresë entuziazmin e Interit. Cristiano Ronaldo pritet të jetë sërish elementi kryesor i supersfidës dhe dueli me Lukakun premton spektakël. Përkrah yllit portugez në sulm, Higuain duket më i avantazhuar se Dybala. (A2 Televizion)