
Skuadra e Interit do të rikthehet të luajë me një sponsor në fanellë që nga sfida e nesërme në Serie A kundër Torinos.
Presidenca e Stiven Zhang ka arritur të firmosë një kontratë me platformën streaming Paramount+, pasi për më shumë se një muaj, Interi ka luajtur pa një sponsor kryesor të fanellës.
Kjo erdhi pas vendimit për heqjen e logos së kompanisë së kriptomonedhave DigitalBits për shkak të problemeve me mospagimin e shumës së përcaktuar në kontratë gjatë këtij sezoni.
Sakaq, marrëveshja e sponsorizimit të fanellave me Paramount+ është shpallur mbrëmjen e sotme dhe do të çojë në arkat e klubit zikaltër rreth 10 milionë euro, duke përfshirë të gjitha shtesat për sezonin 2023-2024.
Edhe Inter ka konfirmuar zyrtarisht nëpërmjet rrjeteve sociale se kanë rënë dakord për sponsorizim të fanellës me shërbimin e transmetimit Paramount+, me kontratën që do të zgjasë deri në fund të sezonit aktual.
Me fjalë të tjera, logoja e kompanisë do të shfaqet në pjesën e përparme të fanellës së Zikaltërve në sfidën përballë Torinos dhe në finalen e Champions League kundër Manchester City.
Ndërkohë, në sezonin e ardhshëm logoja e Paramount+ do të shfaqet në pjesën e pasme të fanellave të Interit.
Klubi nga Milano vazhdon ende kërkimin për sponsorin kryesor të fanellës për sezonin e ri dhe në vazhdim dhe në pole-position mbetet kompania e fluturimeve “Turkish Airlines”.
Edhe kompani si LeoVegas, Binance dhe Hisense janë lidhur gjithashtu me klubin zikaltër. Zikaltërit sakaq synojnë që marrëveshja e re me sponsorin kryesor të arrijë në vlerën e të paktën 30 milionë eurove. (A2 Televizion)