“Tradhtari” Skriniar kthehet për finalen e madhe

Nga A2 CNN
2 Qershor 2023, 17:25 | Futboll
“Tradhtari” Skriniar kthehet për finalen e madhe

Milan Skriniar, pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak dëmtimi, është kthyer të stërvitet me grupin, pak ditë para finales së madhe të Champions League, ku Interi do të përballet me Manchester City.

Pas ndeshjes së fundit të sezonit për zikaltërit, në 10 qershor, mbrojtësi sllovak do të transferohet te PSG. Ai e njoftoi këtë gjë 4 muaj më parë dhe tifozët e Interit nuk e pritën aspak mirë, duke e quajtur tradhtar kapitenin e tyre.

Por, koha shëron gjithçka dhe pas një fundsezoni spektakolar për Interin, ku ekipi siguroi zonën Champions në kampionat dhe arriti finalen e këtij kompeticioni kundër të gjitha parashikimeve, Skriniar shihet nga të gjithë si një element që mund të japë kontributin e tij nëse do të nevojitet. 

Edhe vetë Skriniar do të preferonte të ndahej nga Interi si kampion Evrope, aq më mirë nëse do të ishte protagonist. Ndeshja ndaj Torinos në fundjavë do të shërbejë për të parë kondicionin fizik të mbrojtësit, por edhe nëse luan të gjithë ndeshjen në Serinë A, vështirë se do të jetë në formacion për finalen ndaj City.

Gjithsesi, edhe pse me valixhe në duar, ndoshta Skriniar mund të ndihmojë edhe në ato pak minuta kur Simone Inzaghi mund ta aktivizojë ndaj ekipit të Pep Guardiolës. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/24/interi-fiton-kupen-e-italise-radha-e-champions/

A2 CNN Livestream

Latest Videos