Interneti në kohën e koronavirusit

Nga A2 CNN
1 Prill 2020, 21:54 | Aktualitet
Interneti në kohën e koronavirusit

Përhapja e koronavirusit në botë ka ndryshuar të gjitha aspektet e përditshmërisë. Shtetet e mëdha, por edhe vende të vogla si Shqipëria, urdhëruan mbylljen e njerëzve në shtëpi për të mos krijuar një zinxhir përhapjeje fatale të Covid-19.

Ajo e krijuar nga karantina është një situatë irreale, ku fëmijët nuk mund të takojnë prindërit e moshuar. Rregulla të thjeshta për të kufizuar infektimin, të cilat janë shoqëruar me mbylljen e kompanive, të dyqaneve, kinemave, koncerteve apo eventeve sportive. Në këtë izolim global, interneti është shndërruar në mikun më të mirë për të thyer monotominë. Emergjenca shëndetësore ka patur një rritje të dukshme për shërbimet në web.

Blerjet “online” janë kthyer në domosdoshmëri. Nëse më parë prioritet kishin veshjet apo aksesorët, tashmë kërkesat janë maksimale te supermarketet, shërbimi taksi për ushqime dhe te farmacitë. Në javët e fundit është konstatuar një rritje eksponenciale e trafikut botëror. Edhe kërkesat për shërbimet multimediale kanë arritur pikun: nga programet që transmetohen direkt në internet, te telefonatat video apo edhe video-konferencat.

Nëse më parë bisedat video shërbenin për t’u takuar virtualisht me personat që jetonin larg, tashmë ato janë një domosdoshmëri për të mësuar gjendjen e atyre njerëzve të cilët i kishim pjesë të përditshmërisë.

Në periudhën kur për të mbrojtur sa më shumë jetë njerëzit duhet të evitojnë maksimalisht lëvizjet, puna nga shtëpia është shndërruar në një realitet të pashmangshëm. “Smart working” aplikohet prej shumë vitesh dhe është kthyer në një mënyrë pune dhe jete, madje edhe në Shqipëri. Por, së fundmi është konfirmuar se puna nga shtëpia funksionon për shumë profesione dhe është një alternativë e vlefshme. Sektori dixhital është i avantazhuar nga kjo situatë, ndërsa sektorët e tjerë që mund të punojnë nga shtëpia kanë avantazhet dhe disavantazhet. Punonjësit kanë më tepër mundësi për t’u shplodhur, evitojnë stresin e trafikut, të parkimit apo të veshjes së përditshme, edhe pse distanca mund të rrezikojë konceptin e punës në grup.

Karantina nga koronavirusi ka impakt kryesisht te moshat e reja. Fëmijët apo adoleshentët që gjysmën e ditës duhej ta kalonin në shkollë, e tashmë janë të detyruar të mësojnë nga shtëpia. Leksionet “online” janë një zgjidhje e vlefshme në kohë krizash, në një moment kur situata shërben edhe si test për autodisiplinën e çdo fëmije. Të mësosh në mungesë fizike të mësuesit është një sprovë. Ky mision bëhet edhe më i vështirë në epokën e internetit, mes lojërave, rrjeteve sociale dhe YouTube.

Ndërsa rrjeti global i internetit është rënduar nga trafiku i paprecedentë, dy kolosët e transmetimeve, YouTube dhe Netflix, ulën cilësinë e videove si mënyrë për të përballuar rritjen e jashtëzakonshme të kërkesës.

Epoka moderne e internetit është kthyer në një prej aleatëve kryesorë të televizioneve. Për jetën në media, ku ndërprerja e sinjalit është e pakonceptueshme. Intervistat tradicionale ia kanë lënë vendin intervistave video në distancë. Kjo ndodh në Shqipëri dhe kudo. Gjiganti amerikan CNN ka zgjedhur që edhe lidhjet me gazetarët të realizohen nga kushtet e vetizolimit në shtëpi. Një trend i tillë ndiqet edhe në Angli apo edhe në Itali, ku programet e argëtimit i janë përshtatur situatës. Telefonatat-video funksionojnë për çdo emision, mes stafit të nevojshëm apo të ftuarve.

Njerëzit kreativë, si muzikantët, i janë përshtatur kushteve të karantinës. Emra të mëdhenj të muzikës botërore plotësojnë kërkesat e ndjekësve, duke kënduar në videot live në internet. Robbie Williams ka shpikur termin “korona-oke” gjatë periudhës dy-javore kur qëndroi në vetizolim, pas udhëtimit në Australi, ku duhej të kishte kënduar në garën që do të hapte sezonin e Formula 1.

Koronavirusi ka ndryshuar mënyrën e jetesës dhe mënyrën si punojmë. Njerëzit kanë gjetur mënyra alternative për të bërë punën apo edhe për të qëndruar optimistë gjatë qëndrimit në shtëpi dhe për të dhënë shpresë.

Pyetja është: sa do t’i rezistojnë kohës zgjidhjet në kushte emergjence? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos