
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama në lidhje me problematikat që po hasin ata gjatë kësaj periudhe.
“Komunitetet rurale në Shqipëri po përjetojnë një seri problemesh të shkaktuara nga zbatimi i masave shtrënguese të ndërmarra nga Qeveria në kuadër të krizës Covid-19. Disa nga shqetësimet kryesore të ngritura janë:
· Masat kufizuese nuk janë përshtatur me specifikat e qendrave urbane me karakter rural si dhe me aktivitetet bujqësore dhe rurale.
· Kontrollet policore për mjetet e transportit dhe mekanikën bujqësore kanë penalizuar familjet e lidhura me këto aktivitete.
· Këshillimi teknik, farmacitë bujqësore dhe furnitorët të përfshirë në zbatimin e kufizimeve për oraret e lëvizjes, kanë penalizuar prodhuesit dhe grumbulluesit në zonat rurale.
· Fermerët nuk janë të mbuluar me informacion, këshilla teknike dhe sugjerime nga ana e shërbimit këshillimor.
· Situata e fatkeqësisë natyrore ka rënduar më tepër familjet e varfëra e ka bërë më të dukshme varfërinë rurale.
· Mësimi online nga shtëpia nuk funksionon në shumë zona rurale, në veçanti në zonat e thella malore.
· Situata ka përkeqësuar shëndetin dhe statusin socio-ekonomik të grave dhe vajzave rurale”, lexohet në letër.
“Për të ndihmuar në përmirësimin e situatës në zonat rurale, organizatat e ANRD propozojnë disa rekomandime në përpjekje për të kontribuar në adresimin e tyre:
1. Të rishikohen fashat e kohës për lëvizje dhe të bëhet diferencim për zonat rurale;
2. Të propozohet fashë kohe më e gjatë për aktivitete prodhuese bujqësore dhe rurale ku puna bazohet kryesisht në bazë familje, sipas një autorizimi specifik;
3. Të anullohen penalizimet e deritanishme dhe të lejohet qarkullimi i mjeteve të transportit dhe mekanikës bujqësore për kryerje të aktiviteteve në fermë, sipas një autorizimi specifik;
4. Të lejohet përdorimi i numrit të regjistrimit të fermerit, ngjashëm si NIPT-i, për fermerët e paregjistruar si biznes, përgjatë gjithë kohës së masave kufizuese të lëvizjes;
5. Të lejohet ofrimi i këshillës teknike (autorizim specifik për specialistët bujqësor) si dhe funksionimi i farmacive bujqësore dhe i furnitorëve, sipas një autorizimi specifik;
6. Të mbështetet qeverisja vendore dhe aktorë të tjerë aktiv në zonë, si për shembull OSHC-të, për identifikimin e rasteve të familjeve më të varfëra dhe furnizimin periodik të tyre me paketa ushqimorë bazë;
7. Hartëzimi i shpejtë i nxënësve të pambuluar me mësimin online dhe gjetja e alternativave të menjëhershme për përfshirjen e tyre në procesin mësimor”, shton letra. (A2 Televizion)