
Kryeministri Edi Rama përmes një komunikimi në rrjetet sociale paralajmëroi një plan të mundshëm lehtësimi të masave kundër koronavirusit nëse në ditët në vijim numri i të prekurve vijon të ulet.
Kreu i qeverisë u shpreh se nuk ka vend për entuziazëm dhe se në mes të prillit do të kuptohen përmasat e vërteta të shtrirjes së virusit në vendin tonë, duke lënë të hapur mundësinë në varësi të shifrave dhe të lehtësimit të masave të lëvizjes.
“Ne po detajojmë një plan të lehtësimit gradual të masave që do të hyjë në zbatim sapo të shohim fillimin e rënies së kurbës së të infektuarve. Nuk e dimë se kur do të ndodhë kjo. Por në mes të prillit do të kuptojmë se sa thellë është shtrirë ky armik tek ne. Ndërkohë po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes që i kemi gati duke filluar me pikatore nga java e ardhshme po qe se numrat deri të dielën do të na lejojnë. Prisnim një kërcim të numrave, por që nuk ndodhi që na bëri më optimistë”, tha kryeministri Rama. (A2 Televizion)