Shqiptarë nga e gjithë bota mblidhen në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Holanda përforcon sigurinë

Nga A2 CNN
14 Shtator 2025, 12:11 | Aktualitet

Shqiptarë nga e gjithë bota mblidhen në Hagë në

Shqiptarë nga e gjithë bota po bëhen bashkë për të protestuar në Hagë. Qindra protestues janë mbledhur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Protestuesit kanë kaluar edhe pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale, për të vazhduar në vendin ku do të mbahet protesta.

Aty shihen edhe forca të shtuara të sigurisë të autoriteteve holandeze, ku janë vendosur edhe bllokada nëpër rrugët ku do të kalojnë protestuesit.

Shqiptarë nga e gjithë bota mblidhen në Hagë në

Me flamuj, uniforma dhe këngë patriotike, ish-veteranë dhe qytetarë nga shumë vende të botës kanë udhëtuar drejt qytetit të Holandës për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Ata e konsiderojnë procesin kundër ish-komandantëve të UÇK-së të padrejtë dhe të bazuar në shpifje të Serbisë.

Protesta pritet të nisë në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj. Protesta është paralajmëruar të jetë masive për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës.

Kjo protestë po zhvillohet një ditë para se të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë që nga fillimi i nëntorit të 2020-ës. Ata po ballafaqohen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos