Intervista që tronditi themelet e Monarkisë Britanike

Nga A2 CNN
13 Mars 2021, 15:49 | Showbiz
Intervista që tronditi themelet e Monarkisë Britanike

Janë monarkët më të famshëm në botë, por në familjen mbretërore britanike, fama ka bashkëjetuar herë pas herë me skandalet. Intervista e shekullit, siç e cilësuan, apo bombat e lëshuara nga çifti Harri dhe Megan që braktisi jetën mbretërore një vit më parë, shkundën në themele monarkinë e cila përgjatë historisë është përballur me luftëra, revolucione e trazira civile.

Por në shekullin e fundit, kërcënimi më i madh ka ardhur nga vetë radhët e saj. Edhe këtë herë, përpjekja e dëshpëruar e sundimtares më jetëgjatë, mbretëreshës Elizabeta, për të ruajtur hermetizmin e për të mbajtur larg syve të publikut jetën private të pjesëtarëve të familjes, u minua nga nipi rebel dhe bashkëshortja e tij amerikane, Meghan Markle, e kthyer në një yll gobal, pasi u bë e para pjesëtare me racë të përzier që i bashkohej radhëve të sundimtarëve me gjak blu.

Në intervistën prej 2 orësh për Oprah Winfrey, preken taste të ndjeshme si problemet mendore apo racizmi, që sipas mediave e kanë zhytur tashmë monarkinë në krizën më të rëndë që prej vdekjes së princeshës Diana, kur familja u kritikua për reagim shumë të ngadaltë. Të tjerë shkojnë më tej, duke vënë në dyshim ekzistencën e monarkisë pas vdekjes së Elizabetës.

Një prej deklaratave me tronditëse të Meghan ishte ajo lidhur me lëkurën e djalit të saj Archie, dhe refuzimit për t’i garantuar atij sigurinë, pas shënjestrimit të ç iftit nga sulmet e tabloideve.

Meghan Markle: U bënë biseda të tilla si, ti nuk do të kesh personel sigurie, ai nuk do të ketë titull, e pati gjithashtu shqetësime mbi faktin e se sa e errët do të ishte lëkura e tij kur të lindte.

Oprah Winfrey: Çfarë?

Po aq i fortë ishte pohimi për refuzimin e familjes mbretërore për t’i ofruar ndihmë ish-aktores, kur ajo ishte ankuar për probleme të shëndetit mendor në kohën kur ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë.

Meghan Markle: Ju drejtova institucionit dhe u thashë se kisha nevojë të shkoja diku për të kërkuar ndihmë, i thashë se nuk isha ndjerë kurrë më parë. Por mu tha se nuk mund ta bëja, se kjo nuk do të ishte e mirë për institucionet.

Vëmendje të madhe nxiti edhe deklarata për ish-kunatën. Sipas një artikulli që qarkulloi në media pak vite më parë, Meghan kishte bërë për të qarë, dukeshën e Kembrixh, Kate, por sipas ish-aktores, kishte qenë krejt e kundërta.

Meghan Markle: Disa ditë para martesës ajo ishte vërtet e mërzitur për çështjen e fustaneve të shoqërueseve të nuses, dhe kjo më bëri të qaj, u lëndova shumë.

Sa i përket Harry-t, pohimet më të forta ishin ato për babain Charles, dhe për faktin se I druhej ripërsëritjes së tragjedisë së nënës së tij Diana.

Princ Harry: Po më dukej sikur historia po përsëritej, mbase në mënyrë edhe më të rrezikshme. Kur flas për këtë, i referohem nënës time. Mendoj se ajo do të ndihej shumë e zemëruar për mënyrën se si shkuan gjërat. Ajo do të donte që ne të ishim të lumtur. U ndjeva i zhgënjyer nga babai im, pasi edhe ai ka përjetuar një histori të ngjashme. Por në të njëjtën kohë do të dua gjithmonë.

Bota u zgjua e tronditur mëngjesin e së hënës, me ata që ngritën gishtin nga sundimtarët me rrënjë 1 mijë vjeçare në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, e të tjerë që vunë në dyshim pohimet e gruas që theu tabutë.

Piers Morgan, prezantues, Mirmëgjes Britani: Jam i zemëruar deri në pikën sa më duket se do plas. Me vjen vështirë nga ajo që dëgjova. Ishte një intervistë që baltosi gjithçka për të cilën Mbretëresha ka punuar kaq fort. Dhe gjithçka u bë ndërsa princi Filip ishte i shtruar në spital.

Peter Overton, prezantues Nine News: Përshëndetje. Nëse familja mbretërore ishte nervoze para intervistës së Harrit dhe Megan, tani duhet të ndihet e tronditur.

Komentet kundër princit Harry dhe bashkëshortes Meghan, i kushtuan vendin e punës prezantuesit të ITV Piers Morgan, i cili pas intensifikimit të kritikave u detyrua të largohej nga emisioni i mëngjesit Mirëmëngjes Britani.

Akuzat e ish-çiftit mbretëror, nxorën në pak se sa të vështirë e ka pasur institucioni 1 mijë vjeçar , që financohet nga taksapaguesit, t’i përshtatet botës së meritokracisë dhe vëmendjes intensive të mediave. Monarkia e drejtuar nga mbretëresha Elizabetë do të përpiqet të zbusë furtunën dhe më pas të reformohet në heshtje, ashtu siç bëri pas krizës që pasoi abdikimin e Eduardit të 8-të, apo pas zemërimit publik që pasoi vdekjen e princeshës Diana.

Por mund të ketë edhe dëme të pariparueshme, e me Britaninë e Madhe që po i afrohet fundit të epokës së Elizabetës së dytë, në horizont përvijohet konflikti mes brezave.

Mark Borkowski: Ekspert i marrëdhënieve me publikun: Është ende herët për të folur mbi dëmet që do të pasojnë. Sigurisht, ka shumë zhurmë, dhe tituj jo ngushëllues mediatikë lidhur me çështjen e shëndetit mendor dhe racizimin. Por kur je në mesin e një tornadoje, duhen disa lëvizje kyçe strategjike për t’iu kthyer një lloj normaliteti. 40 orë pas intervistës, Mbretëresha 94-vjeçare theu heshtjen përmes një deklarate.

Mbretëresha Elizabeta: E gjithë familja është e trishtuar, pasi mësoi se sa sfidues kishin qenë vitet e fundit për Harrin dhe Meganin. Cështjet e përmendura, veçanërisht ato për racën, janë shqetësuese. Ndërsa disa kujtime mund të ndryshojnë, ato do të merren shumë seriozisht e do të trajtohen privatisht nga familja. Harry, Meghan dhe Archie do të jenë gjithmonë pjesëtarë të dashur të familjes sonë.

Eksperti i marrëdhënieve publike, Mark Borkowski tha se opinioni publik në Britaninë e Madhe ishte i ndarë, kryesisht në vija brezash.

Një sondazh i shpejtë, i zhvilluar pas intervistës tregoi se simpatia e qytetarëve britanikë anon më shumë nga mbretëresha e pjesëtarët e tjerë të familjes mbretërore, port ë rinjtë mendojnë më së shumti se Harri dhe Megan ishin trajtuar padrejtësisht.

Mark Borkowski: Po shohim  një ndarje të brazave lidhur më çështjen. Mendoj se personat më të rritur, të cilët i kuptojnë makinacionet e familjes mbretërore, apo mënyrën se si ajo funksionon; protokollet, sensin e detyrës apo besnikërisë, e shohin nën një prizëm tjetër. Stuhia shpërthen ne mesin e një lufte kulturore, shpesh e përkufizuar si një krisje mes gjeneratës së vjetër që kërkon të mbrojë historinë dhe trashëgiminë e Britanisë së Madhe, dhe të rinjve, që i shohin të parët e tyre si bllokadë për t’i dhënë fund padrejtësive racore dhe sociale.

Dave Green, banor i Londrës: Mendoj se është e trishtueshme që çështjet familjare të mos zgjidhen brenda familjes, dhe në një kohë kur kaq shumë njerëz po vuajnë për shkak të koronavirusit, ky është titulli kryesor. Më vjen keq për mbretëreshën, e cila bën një punë të mrekullueshme.

Layla Varky, 23-vjeçare: Mendoj se është diçka e mirë të dëgjojmë për eksperiencën në familjen mbretërore. Nuk është më e fshehtë dhe kjo është diçka e mirë. Titujt e mediave janë më të pamëshirshëm se publiku.

Daily Mirror e quan krizën më të rëndë të familjes mbretërore në 85 vite, ndërsa “Daily Mail” pyet: Çfarë kanë bërë”.

Penny Junor, korrespondente e familjes mbretërore: Kam shkruar për këtë familje dhe e kam ndjekur për 40 vjet. Asnjëherë, tek asnjëri prej tyre nuk kam parë ndonjë grimcë racizmi. Kjo është një familje që është binjakëzuar me Commonwealth. Nuk kam parë kurrë diçka që t’i afrohet racizmit. Prandaj komenti më duket më i vështiri për t’u kapërdirë.

Përveç shfaqjes në disa dokumentarë ku ka folur për aspekte të ndryshme të jetës mbretërore, Elizabeta, nuk ka dhënë kurrë një intervistë zyrtare. Por shumë prej krizave në institucionin e drejtuar prej saj janë shkaktuar nga intervista të bujshme të pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Në vitin 1981, pak pasi shpallën fejesën, trashëgimtari i fronit Princi Charles dhe bashkëshortja e tij e ardhshme Diana Spencer, dhanë një intervistë të sikletshme në televizion, ndërsa diskutonin për marrëdhënien e tyre. Në fund kur u pyetën se si ndiheshin Charles shmangu fjalën dashuri, ndryshe nga partnerja e tij.

Charles: Jam i kënaqur, i lumtur, i befasuar që ajo u tregua e guximshme për të qenë me mua.

Gazetari: Dhe besoj i dashuruar.

Diana: Sigurisht!

Charles: Çfarëdo që dashuria nënkupton. Ka vend për interpretim.

Në një intervistë të paprecedentë televizive në vitin 1994, e ndjekur pas vitesh spekulime mbi martesën me Dianën, Charles pranoi tradhtinë, edhe pse shmangu pyetjet lidhur me Kamilën. Por padyshim, goditja me rëndë për reputacionin e Monarkisë erdhi 1 vit më vonë, me intervistën e famshme të princeshës popullore për gazetarin Martin Bashir të BBC.

Në intervistën e ndjekur nga në shumë se 20 milion shikues, Diana, e cila humbi jetën në një aksident me makinë në Paris, 2 vite më vonë, pranoi lidhjet jashtëmartesore dhe dha detaje intime lidhur me dështimin e martesës së saj me trashëgimtarin e fronit.

Diana: Ishim tre në këtë martesë dhe filluam të ndiheshim pak ngushtë. Një tjetër intervistë që mbretëresha do të donte me siguri të harronte ishte ajo e djalit të saj Andrew në vitin 2019, pas disa vitesh spekulime për marrëdhënien e tij me financierin e vetëvrarë Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim seksual, princi 60-vjeçar vendosi të sqarojë publikisht pozicionin e tij. Por intervista dhënë për BBC u konsiderua një katastrofë, e në vend t’i jepte fund spekulimeve mbi lidhjet e tij me Epstein, nxiti tituj të tjerë edhe më negativë lidhur me çështjen.

I 8-ti në radhë për fronin, Andrew mohoi akuzat e një gruaje që pretendonte se ishte detyruar nga Epstein të kryente marrëdhënie seksuale me princin kur ishte vetëm 17 vjeç, për të mbështetur pohimin e tij dha argumenta qesharakë. Furtuna mediatike që pasoi intervistën, detyroi princin të dorëhiqej nga detyrat publike për të mos cenuar punën e monarkisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos