Investimet britanike, ambasadori Alastair King-Smith: Ka shumë mundësi, çështja e tokës problem

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2021, 21:25 | Politikë
Investimet britanike, ambasadori Alastair King-Smith: Ka shumë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, në “Intervistë me Merita Haklaj” foli edhe për tregtinë dhe investimet britanike në Shqipëri.

“Kur erdha këtu si ambasador u trondita se sa e ulët kishte qenë tregtia dhe investimet në vitet e fundit. Por kjo po ndryshon. Ministrja jonë për Europën, Uendi Morton, erdhi në tetor dhe bashkë me drejtorin rajonal për tregti dhe investime diskutuam me qeverinë se si mund të shtojmë në vitin e ardhshëm tregtinë dhe investimet me Mbretërinë e Bashkuar. Kur u ktheva muajin e shkuar në Mbretërinë e Bashkuar isha në një organizim për promovimin e biznesit. Ka shumë interes në Shqipëri, sepse ka një trajektore shumë të mirë ekonomike”.

Por çfarë i pengon bizneset britanike në investojnë në Shqipëri? “Është jetike t’u garantohet njerëzve që është e mundur të investohet. Kemi investime të mëdha nga Britania, si “Vodafone”, kemi kompani të tjera të mëdha britanike që angazhohen, dhe duam të shohim më shumë. S'janë vetëm kompanitë e mëdha. Ka sipërmarrje të vogla e të mesme, ndaj po shohim se si të përmirësojmë edhe klimën e biznesit këtu, por edhe të nxitim kompani në Mbretërinë e Bashkuar që ta shohin Shqipërinë si mundësi. Dhe mendoj se ka mundësi të mira, sepse Shqipëria është duke zhvilluar ekonominë. Por mënyra më e mirë, siç diskutuam te bisedimet për klimën në Glasgou, është që të kemi një ekonomi të gjelbër e të qëndrueshme. Po të përpiqemi që tani, ekonomia e Shqipërisë do të ketë ecuri pozitive.

Mendimi im është se ka mundësi shumë të mira, por këto mundësi do ta tërheqin më lehtë investuesin që do Shqipëria po të adresohen çështjet e tjera. Çështjet për tokën, pronësinë. Çështje në lidhje me lehtësinë e të bërit biznes. Çështjet me rregulloret tregtare. Mendoj se qeveria po u adresohet. Në teknologji e inovacion, p. sh, një fushë në të cilën Britani po pozicionohet tani si një superfuqi në teknologji e shkencë. Duam të bashkëpunojmë me Shqipërinë e të shohim si t'i vëmë në lëvizje gjërat. Siç e dini, qeveria po merret tani me propozime në parlament për të krijuar një mjedis tërheqës për kompanitë e investimet teknologjike. Kemi bërë shkëmbime "start-up" midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe duam ta përmirësojmë. Nuk mjafton vetëm të nxitim kompani, por duhet të sigurohemi që kompanitë në Britani janë më në dijeni të mundësive në Shqipëri. Duam të sigurohemi dhe që personat e kualifikuar në Shqipëri të përfitojnë nga këto mundësi. Një nga gjërat më të mira është se keni të rinj fantastikë, por nëse u japim mundësi e aftësi, Këshilli Britanik ka "Programin e Aftësive të Shkollave të Shek. 21." Punojmë me shkolla për të krijuar mundësi për programim dhe kuptime të ndryshme të teknologjisë. Nëse u jepen 11-15-vjeçarëve aftësi të tilla programimi kur të shkojnë në universitet dhe të futen në tregun e punës do të kenë më shumë mundësi të nxitin revolucionin teknologjik dhe zhvillimin ekonomik që nevojitet. E shohim me rëndësi shtimin e aftësive të të rinjve, të sigurohemi që bizneset kanë mjedis pozitiv për të investuar dhe të sigurohemi që këto mundësi të vihen në dukje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos