
46 operatorë të peshkimit janë përfitues të thirrjes së tretë të granteve të peshkimit me një shumë investimi mbi 820 mijë euro, e cila mbylli aplikimet në fundi të muajit Qershor. Nga Porti i Shëngjinit, ku u firmosën disa kontrata të përfitimit të grantit, ministrja e bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se ky tregues është një lajm i mirë i dëshirës së peshkatarëve për tu rritur me investime në pajisje sigurie dhe eficence, si dhe duke ulur sa më shumë impaktin negativ në mjedis.
Në thirrjen e parë dhe të dytë janë mbështetur investimet e 55 operatorëve të tjerë të sektorit për investime si ndërtimi i frigoriferëve, pajisja e anijeve të tyre me instrumente elektronike, rrjeta selektive apo motorë dhe gjeneratorë të rinj. Në këto dy faza aplikimi, janë investuar në sektor 700 mijë Euro. Ndërkohë që shuma e investimeve në këtë fazë të tretë është shkon më shumë se 820 mijë Euro. Ministrja theksoi se mbështetja për sektorin e peshkimit do të vijojë.
Ministrja falënderoi dhe projektin “Fishing Blue” të financuar nga Bashkimi Europian dhe tha se objektivi i mëtejshëm është rritja e mbështetjes për investime në anije dhe rritja e punësimit profesional në peshkim. (A2 Televizion)