Në emisionin “A2 Business Week” u diskutua mbi punët publike të qeverisë, të cilat, sipas Milva Ekonomit, kanë qenë gjithmonë në fokus të mazhorancës.
“Punët publike kanë qenë në fokus të qeverisë. Së pari, qeveria përfundoi të gjitha rrugët e papërfunduara kur mori mandatin dhe shleu borxhet që vinin nga mosrealizimi i kontratave për punët e kryera. Së dyti, shtoi korridoret lidhëse në të gjithë vendin. Së treti, rivitalizoi të gjithë qendrat e qyteteve dhe së katërti, po merret me dëmet që erdhën nga situata e tërmetit”, u shpreh kryetarja e Komisionit të Ekonomisë.

Por, sipas ekspertit Akil Kraja, puna për rivitalizimin e qyteteve bie poshtë nga largimi i shqiptarëve jashtë vendit: “Hiq Tiranën, të gjitha qytetet e Shqipërisë njohin shpopullim 5-15%”.
“Sa i përket rrugëve, janë humbur në Arbitrazh miliona euro. Banka Botërore thotë se kemi shkuar në 17 milionë euro për kilometër. Kemi dhe tunelet dhe aeroportet, që mbeten projekte në 3D”, shtoi Kraja.
Ndërsa, sipas ekspertit të ekonomisë Eriko Ceko, “volumi i punimeve është më i ulët në krahasim me periudhën 2006-2009”.
“Qeveria që e mbylli gropën në vitin 2013 duke shlyer borxhet e punimeve, na ka çuar në të njëjtën situatë me pagesa të padhëna për punimet”, theksoi Ceko. (A2 Televizion)