Civici: Parashikimet e Bankës Botërore, humbje 1.2 miliardë euro për ekonominë shqiptare

Nga A2 CNN
7 Tetor 2020, 20:28 | Ekonomi
Civici: Parashikimet e Bankës Botërore, humbje 1.2 miliardë euro

Dita e sotme u karakterizua nga lajme të shumta që përfshijnë ekonominë shqiptare. Banka Botërore parashikoi një rënie për ekonominë në vend me 8.4 %, ndërkohë që komisioneri i BE-së Oliver Varhelyi prezantoi në Tiranë një paketë ndihmash domethënëse për ekonomitë e rajonit.  

Sipas ekspertit të ekonomisë Adrian Civici, “kjo shifër e paraqitur nga Banka Botërore do të thotë një humbje për ekonominë shqiptare me 1.2 miliardë euro. Pasojat sociale që lidhen me masën e konsumit, të ardhurat e bizneseve dhe varfërinë janë tejet negative”. Sipas tij, në këtë rënie efekti i pandemisë është i pamohueshëm dhe e dëshmon treguesi ekonomik edhe në vendet e zhvilluara.

Sipas Bankës Botërore, një e treta e popullsisë shqiptare do të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në vit, duke iu afruar asaj që quhet varfëri relative. Për Civicin, kjo ishte “diçka e pritshme, po të kemi parasysh strukturën e të ardhurave të shoqërisë shqiptare, ku çdo tronditje ekonomike çon shtresën që po i afrohej asaj të mesme të ulët drejt varfërisë”.

https://a2news.com/2020/10/07/kriza-nga-pandemia-banka-boterore-ekonomia-shqiptare-do-te-tkurret-me-8-4/

Por a mund të tejkalohen vështirësitë shqiptare nga paketa e ndihmës së BE, që parashikohet në rreth 20 miliardë euro në total për Ballkanin Perëndimor? “Ky është projekti më i madh ndonjëherë për rajonin. Përveçse do të jetë oksigjen për ekonominë shqiptare, është dhe mesazh i integrimit të konvergjencës së ekonomive ballkanase me ato të BE-së. Duhet të thithim investime në projekte madhore në infrastrukturë e projektit, por më parë në Shqipëri duhet të krijohet një klimë e përshtatshme e biznesit, nga realizimi i kontratave  te zbatueshmëria e ligjit”, thotë Civici për A2. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos