
Shtetet e Bashkuara kanë futur në listën e zezë ish-deputetin Aqif Rakipi dhe pronarin e Radiotelevizionit Ora, Ylli Ndroqi. Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, ata janë shënjestruar nga Departamenti i Thesarit si “aktorë për Sjellje Destabilizuese në Mbarë Ballkanin Perëndimor”.
Sipas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga Presidenti Joe Biden këtyre personave iu bllokohen pronat, pasuritë, llogaritë bankare dhe iu ndalohet të bëjnë biznes në Shtetet e Bashkuara dhe me kompani amerikane.
“Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033. Ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë bazuar në E.O. 14033 dhe që shënjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese. Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E tillë sjellje korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet”, thuhet në njoftim.
Pasojat e sanksioneve
Si rezultat i vendimit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në prona të individëve ose subjekteve të përcaktuara që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim apo kontroll të personash të SHBA, duhet të bllokohen dhe të raportohen në OFAC. Rregullat e OFAC në përgjithësi ndalojnë të gjitha transaksionet nga qytetarët amerikanë ose qytetarët brenda (ose që kalojnë transit) Shteteve të Bashkuara që përfshijnë prona ose interesa në prona të personave të përcaktuar ose përndryshe të bllokuar. Personat e SHBA mund të përballen me ndëshkime civile ose penale për shkelje të E.O. 14033.
Forca dhe integriteti i sanksioneve të OFAC rrjedhin jo vetëm nga aftësia e saj për të përcaktuar dhe përfshirë persona në Listën e Personave të Posaçëm të Përcaktuar dhe Bllokuar (Lista SDN), por edhe nga vullneti i saj për të hequr persona nga Lista SDN në përputhje me ligjin. Qëllimi përfundimtar i sanksioneve nuk është të ndëshkojnë, por të sjellin ndryshime pozitive në sjellje. Për informacion në lidhje me procesin e kërkesës për heqjen nga një listë e OFAC, duke përfshirë listën SDN, ju lutemi referojuni Pyetjeve më të Shpeshta të OFAC. Për informacion të detajuar mbi procesin për të dërguar një kërkesë për heqjen nga një listë sanksionesh të OFAC, klikoni këtu.
Departamenti i Thesarit
Në përshkrimin për ish-deputetin, aleat të Partisë Socialiste, Departamenti i Thesarit thotë: “Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike.
Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim.
Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”.
Ndërsa për Ylli Ndroqin, në njoftim thuhet: “Ylli Ndroqi është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qënë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media. Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Ndroqi përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”. (A2 Televizion)