
Nis sot gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Koha kur dyshohet se janë kryer krimet:
-Marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999
-Në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjyqi nisi sot por ka shqetësim sesa mund të zgjasë procesi në tërësi. 2 vjet e gjysmë zgjatën seancat përgatitore, kohe që është kundërshtuar nga ekipet mbrojtëse sepse është zgjatur shumë.
Tani çfarë ndodh? Prokuroria nis sot parashtrimin e akuzave dhe përballet me mbrojtjen, që fokus kryesor ka të provojë pafajësinë e 4 ish-luftëtarëve të UÇK. Seanca sot me prokurorinë, ka 5 orë kohë për të folur.
Të martën nisin ekipet mbrojtëse, për së pari, mbrojtjen e ish-Presidentit Hashim Thaci, më pas vazhdohet me mbrojtjen e Veselit, Krasniqit e Selimi. Javën e ardhshme agjenda bëhet më dinamike.
Nga 11 prilli, do të ketë 4 seanca në javë, siç është përcaktuar nga kalendari i Dhomave të Specializuara, ku me interes priten dëshmitarët e dëshmitë e tyre në këtë proces.
Një proces që nis sot, pas 2 vitesh e gjysmë, por shqetësimi është se nuk dihet kur mbaron, 2026 duket se periudha më e afërt, ndoshta edhe 2027.
Kujtojmë pak shkurtimisht, kronologjikisht, çfarë ndodhi në këto 2 vite e gjysmë me Thaçin e të tjerët:
HASHIM THAÇI
-Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës
-Po atë ditë, ai u nis drejt Hagës, ku ende po qëndron në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara
-Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
KADRI VESELI
-5 nëntor 2020, udhëtoi vullnetarisht drejt Hagës
-Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha Akuzat
JAKUP KRASNIQI
- Gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020
-U paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, ku u deklarua i pafajshëm
REXHEP SELIMI
-Më 4 nëntor 2020, njoftoi se kishte marrë konfirmimin për aktakuzën, po atë ditë u nis drejt Hagës
Çfarë thuhet në aktakuzë?
-5 nëntor 2020, publikohet aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së
-2 vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza te reja
-Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen se së bashku me anëtarë të tjerë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale” kanë pasur për qëllim të marrin dhe ushtrojnë kontrollin “në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e tyre
-Përveç ish-krerëve të UÇK-së, në aktakuzë përmenden edhe persona të tjerë, që pretendohet se kanë qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”
Në aktakuzë thuhet se në mesin e viktimave kishte persona që dyshoheshin se ishin kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë edhe të Qeverisë së Përkohshme, “konkretisht serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë;
shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”.
-Sipas Dhomave të Specializuara për krimet, katër ish-krerët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.
Çfarë ndodh tani?
-Gjyqi nis sot
-Sipas përllogaritjes së numrit të madh të dëshmitarëve e dokumenteve që pritet të prezantojë, si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja, mund të duhen 6.5 vjet kohë, vetëm për të marrë më pyetje dëshmitarët (312 dëshmitarë) (A2 Televizion)