Ish-krerët e UÇK-së njëzëri në Hagë: Jemi plotësisht të pafajshëm!

Nga A2 CNN
3 Prill 2023, 10:41 | Kosova

Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dhënë sërish deklaratat e tyre para Gjykatës Speciale.

Hashim Thaçi deklaroi se është krejt i pafajshëm.

“E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha ish-presidenti i Kosovës.

Kadri Veseli shprehu pakënaqësinë e tij lidhur me vonesën në nisjen e gjykimit.

“E kuptoj aktakuzën. Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë, megjithatë ju falënderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.

Njëjtë u deklarua edhe Rexhep Selimi.

“Po, e kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.

Jakup Krasniqi deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me akuzat.

“E kam të vështirë ta kuptoj akuzën. Nuk kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokurorja para pak kohësh. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilat flitet në aktakuzë”, tha ai.

Sot në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.

Ndërsa sot derisa po mbahet seanca gjyqësore, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë nga diaspora po zhvillojnë një protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së./kosovapress (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/03/ish-komandantet-e-uck-ne-burg-nis-sot-gjykimi-i-ceshtjes-ne-gjykaten-e-hages/
https://a2news.com/2023/04/02/ish-kreret-e-uck-se-ne-burg-nis-ne-prishtine-marshi-per-drejtesi/

A2 CNN Livestream

Latest Videos