Kosova vendos sanksione për mbështetësit e Presidentit bjellorus, Lukashenko

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2022, 16:14 | Kosova
Kosova vendos sanksione për mbështetësit e Presidentit bjellorus,

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Europian, ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve bjelloruse të ndërlidhura me regjimin e presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko.

Personat e sanksionuar nga BE-ja janë identifikuar si përgjegjës për shtypjen dhe intimidimin e protestuesve paqësor, anëtarëve të opozitës dhe gazetarëve, para dhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusi, si edhe për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

“Paketa e fundit e sanksioneve, në lidhje me abuzimet me të drejtat e njeriut, është miratuar më 2 dhjetor 2021. Sanksionet prekin pjesëtarë të gjyqësorit dhe mjeteve të propagandës që kanë kontribuar në shtypjen e shoqërisë civile, opozitës demokratike, medias së pavarur dhe gazetarëve”, thuhet në një njoftim të Këshillit Europian. “Këto sanksione duhet t’u dërgojnë një sinjal të fortë mbështetësve të regjimit që mbështetja e tyre e fortë për Aleksandër Lukashenko, ka kosto të qenësishme.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos