
Një nga filozofët bashkëkohor më të njohur në Itali ka ndërruar jetë sot si pasojë e COVID-19. Bëhet fjalë për 75-vjeçarin Giulio Giorello, i cili u shua në Milano pas një beteje të gjatë me virusin, të filluar më 27 mars. Tri ditë më parë, filozofi kishte martuar shoqen e jetës, Roberta Pelachin.
Nxënës i Ludovico Geymonat, një nga figurat historike të kulturës italiane të pasluftës, Giorello njihej nga publiku i gjerë për shkrimet e tij në gazetën Corriere della Sera, ku jo rrallë përziente tema të ndryshme, elitare dhe popullore, nga neuroshkenca dhe antropologjia, te traditat dhe novelat grafike për fëmijë dhe të rritur, si Mickey Mouse, për të cilin kishte shkruar një libër.
Laik i bindur, Giorello ishte studiues i figurave “eretike” si Baruch Spinoza, dhe prej vitesh mbante rolin e presidentit të Shoqërisë Filozofike italiane.
Kryeministri Giuseppe Conte e vlerësoi si “filozof të rafinuar, kurrë banal. Italia humb një mendimtar të madh”. (A2 Televizion)