
Ndërsa për shumicën e njerëzve periudha e izolimit për shkak të pandemisë Covid-19 është nga gjërat më të vështira që kanë kaluar në jetë, të njëjtën gjë nuk mund ta thotë një artist që krijon.
Andi Karanxha, nga qyteti i Korçës, e ka shfrytëzuar periudhën e izolimit për t’u frymëzuar në krijimin e veprave të tij, në pikturë, skulpturë dhe ajo që e veçon më shumë, në karikaturë.
Karanxha numëron një shumëllojshmëri karikaturash në studion e tij, përfshirë edhe personazhe të njohur të politikës, medias, shoqërisë civile e më tej. Por, gjatë izolimit, karaktereve të tij iu shtuan figura të tjera, që më parë nuk kishte menduar ndonjëherë që do t’i realizonte në letër, siç është edhe karikatura e doktor Pëllumb Piperos, superheroit që në përpjekje për të ruajtur popullatën nga infektimi me Covid, e infektoi artistin me frymëzim.
Karanxha ka një mesazh edhe për rininë, e cila, sipas tij, është si pasqyra vitale e kohës që po kalojmë. Dhe në këtë këndvështrim apelon që rinia të mos përdorë vetëm krijime të të tjerëve, siç janë rrjetet sociale, por të përpiqen edhe vetë të krijojnë.
Me mendimin se klasikja nuk humbet asnjëherë, Andi vijon rrugën e artit, i bindur në idenë se krijimet e tij shprehin frymëzimin që ai merr nga bota dhe realiteti që e rrethon dhe këtë realitet është më bukur ta hedhësh në letër në formën e artit, sesa vetëm ta kundërshtosh apo ta pranosh me heshtje. (A2 Televizion)