
Futbolli italian rikthehet këtë mbrëmje pas 3 muajsh mungesë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në orën 21:00, Juventus sfidon Milan në “Alianz Stadium” në ndeshjen e kthimit të vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.
Ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim, do të ketë një tjetër efekt, ku shumë pak i ngjan futbollit. Dyer të mbyllura dhe vetëm 330 persona të stafit të dy ekipeve në stadium. Sipas të gjitha analizave, edhe futbolli nuk do të jetë njësoj pas pauzës së gjatë, sidomos nga pikëpamja atletike.
Përveç pushimit mes dy pjesëve, do të ketë një maksimum të tre ndërprerjeve të garës dhe 5 zëvendësime. Do të kursehet koha shtesë dhe në rast të një rezultati të barabartë me ndeshjen e parë (1-1), pas 90 minutave skuadrat do t’i drejtohen penalltive. Mungesat e Juventus janë Demiral dhe Higuain. Përsa i përket formacionit, ka një dyshim në të djathtë, mes Cuadrado dhe Danilo. Pjanic do të jetë regjisori i skuadrës, De Ligt në qendër të mbrojtjes, duke parë se Chiellini nuk është akoma 100% i gatshëm. Në sulm, një fanelë titullari për Douglas Costa dhe Dybala.
Në kampin kundërshtar, tekniku Pioli është i detyruar të ndërtojë një formacion tjetër, duke parë skualifikimet e shumta të Ibrahimovic, Castillejo dhe Hernandez. Paqueta, Calhanoglu dhe Bonaventura do të jenë pas Rebic, me këtë të fundit i preferuar në vend të Leaos. Në mbrojtje është rekuperuar Kjaer. Ndërkohë, Calabria ka fituar konkurrencën me Laxalt. (A2 Televizion)