Italia ashpërson masat, gjithçka mbyllet pas orës 21:00 të mbrëmjes

Nga A2 CNN
19 Tetor 2020, 08:20 | Bota
Italia ashpërson masat, gjithçka mbyllet pas orës 21:00

Italia ka prezantuar të dielën, masa të reja kufizuese në vend, në një përpjekje për të frenuar rikthimin pas në muajt mars-prill-maj. Me një maskë mbrojtëse të vendosur, kryeministri italian, Xhuzepe Konte, tha se masat janë të domosdoshme për të shmangur një mbyllje të re.

Sipas rregullave të reja, pas orës 21:00 të mbrëmjes, çdo ambient publik do të jetë i mbyllur, shkollat do të vijojnë, por do të ndryshojnë oraret e mësimit dhe distanca mes nxënësve. Sportet e kontaktit amator do të qëndrojnë të pezulluara, palestrat dhe pishinat do të duhet të adoptojnë një protokoll të ri. Brenda kësaj jave, baret e restorantet do të mbyllen në mesnate dhe në tavolinë nuk mund të ulen më shumë se 6 persona.

“Ne nuk mund të humbasim kohë, duhet të shmangim izolimin, që do të frenonte për një kohë shumë të gjatë ekonominë tonë” u shpreh Konte përpara qytetarëve. “Qeveria është këtu, por secili duhet të bëjë të vetën” tha kryeministri.

Masat e reja vijnë në një kohë kur Italia regjistroi një tjetër rekord rastesh të reja, me 11.700 të infektuar, brenda 24 orëve. Italia është vendi europian i goditur më rëndë nga pandemia dhe ka aktualisht 414 mijë të konfirmuar me covid-19, ndërsa janë regjistruar 36.500 viktima. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos