
Italia konfirmon 427 viktima të tjera nga Covid-19 në 24 orë. Me një total prej 3405 personash, ajo tejkalon Kinën, ku e pati origjinën virusi, duke u bërë vendi me bilancin më tragjik. Të prekurit janë 33 mijë e 190, ndërsa të shëruarit 4440, 415 më shumë se të mërkurën.
Autoritetet lokale në Lombardi, rajoni më i prekur, kërkojnë shtrëngimin e kufizimeve duke mobilizuar ushtrinë në të gjithë zonën. “Nuk jemi me pushime, por në luftë”, tha presidenti i rajonit, Attillo Fontana.
Mjekët në rajonin e goditur rëndë të Bergamos, vazhdojnë të ndajnë mesazhe të forta mbi situatën atje.
“Jam Stefano Fagiuoli, kreu i departmanetit të mjekësisë në spitalin Papa Gjon Pali në Bergamo. Jemi në emergjencë të plotë. Personeli ynë, infermierët dhe mjekët po punojnë pa pushim për të luftuar këtë situatë të pabesueshme. Nuk e di se sa do të zgjasë kjo pandemi, por kam dy mesazhe..i pari është për qytetarët; qëndroni në shtëpi. I dyti është për këdo qe do të na ndihmojë. Kemi nevojë të dëshpëruar për infermiere dhe mjekë, ventilatorë dhe pajisje mbrojtëse”.
OBSH, thotë se për përhapjen e pakontrollueshme të virusit dhe viktimat e shumta në Itali mund të ketë kontribuar numrit i pabesueshëm i rasteve mes stafit mjekësor dhe gjithashtu numri i lartë i të moshuarve në vend.
Sipas një raporti të Institutit të Shëndetësisë në Itali, deri më tani mes viktimave të koronavirusit gratë janë më pak se gjysma dhe mosha e tyre është më e lartë krahasur me atë të meshkujve.
Mosha mesatare e të vdekurve mbetet 80.5, por ka edhe nën moshën 50 vjecare, shumica e të cilëve me probleme të tjera shëndetësore. (A2 Televizion)