
Rikthehet trendi në rënie në shifrat ditore të pandemisë koronavirus në Itali. 247 humbje të jetëve u shënuan në shtetin fqinj në 24 orë, për një total prej rreth 30 mijë viktimash. Edhe rastet e reja ishin ulur, krahasuar me një ditë më parë. Që prej shpërthimit të pandemisë, në këtë shtet janë prekur më shumë se 215 mijë vetë. Të shëruarit në ditën e fundit ishin mbi 3 mijë.
Liderët e rajoneve italiane kanë zhvilluar një videokonferencë me krerët e shtetit, ku diskutuan mundësinë e rihapjes së të gjitha dyqaneve në vend. Ndërsa qeveria pohoi në këtë bashkëbisedim se heqja e mëtejshme e kufizimeve do të nisë nga 18 maji. Datë kur pritet të rihapin dyert për besimtarët edhe ndërtesat e kultit, sigurisht duke respektuar masat e sigurisë.
Ndërkohë, autoritetet kanë hapur dhe një hetim për rritjen e çmimeve të ushqimeve, detergjentëve dhe dezinfektantëve gjatë fazës së parë të pandemisë.
Në rënie janë dhe shifrat ditore në Britaninë e Madhe. Autoritetet njoftuan 539 vdekje të tjera nga koronavirusi duke rënduar dhe më tej bilancin e viktimave në 30 615, më i larti në Evropë. Sipas një raporti të publikuar së fundmi, personat me ngjyrë ne Britaninë e Madhe kanë një nivel vdekshmërie, dy herë më të lartë se të tjerët. Por pavarësisht shifrave, qeveria e Boris Johnson po mendon rihapjen e jetës sociale dhe ekonomike, dhe një plan me 5 faza pritet të prezantohet të hënën.
Ndërkohë, situatë pak më e qetë paraqitet në Francë, vend i cili do të zbusë kufizimet duke nisur nga java tjetër. Që prej së hënës, do të rihapen 85% e shkollave dhe në banka do të ulen përsëri 1 milionë student dhe 130 mijë mësues. Shumica e bizneseve do të hapen, përveç restoranteve, kafeneve dhe plazheve qe mbesin të mbyllura deri në qershor. (A2 Televizion)