
Italia zgjedh sot kreun e ri të shtetit, në një seancë ku kryeministri Mario Draghi duket si kandidati më i pëlqyer, e në një proces që do të monitorohet gjerësisht, sidomos nga tregjet financiare. Italianët presin me padurim zgjedhjen e presidentit të ri, që do të pasojë në detyrë Sergio Matarelën, por presin edhe që zgjedhjet për kreun e ri të shtetit të mos zgjasin, pasi vendi rrezikon të zhytet edhe njëherë në krizë politike dhe ekonomike, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.
Zgjedhja e presidentit të vendit, që gëzon një mandat 7-vjeçar, nis sot por mund të kërkojë ditë të tëra, ndërsa sot nga ora 14.00, janë më shumë se 1 mijë parlamentarë dhe përfaqësues rajonalë, që votojnë në raundin e parë në parlament, në një votë të fshehtë, për të zëvendësuar presidentin Matarela.
Fituesi do të duhet të sigurojë 2/3 e shumicës, në secilin nga 3 raundet e votimit. Draghi, i cili drejton qeverinë e bashkimit kombëtar, e ka bërë të qartë, se do ta donte shumë këtë detyrë, për të drejtuar vendin për 7 vitet e ardhshme, por i frikësohet një tjetër krize politike në vend.
Rivalë në garë, Draghi ka ish-kryeparlamentarin Pier Ferdinando Casini, ish-kryeministrin Guliano Amato, drejtuesen aktuale të senatit Elisabetta Casellati dhe Elisabeta Belloni, një diplomate karriere, e cila aktualisht drejton shwrbimin sekret Italian.
Silvio Berlusconi u twrhoq nga gara një ditë më parë dhe është shtruar menjëherë në spital. (A2 Televizion)