Iu bë atentat në vitin 2019, prokurori i Durrësit në vetting

Nga A2 CNN
29 Prill 2022, 14:06 | Kronikë
Iu bë atentat në vitin 2019, prokurori i Durrësit në vetting

Arjan Ndoj, prokurori i Durrësit, të cilit iu bë atentat 3 vite më parë, ishte sot në seancën e parë të vetting-ut.

Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, u shpreh se Ndoj ka dalë për verifikim për kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit. Për këto kritere, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), ka konstatuar parregullsi. Sa i përket figurës, përveç atentatit, është konstatuar se prokurori ka pasur kontakte me persona të papërshtatshëm, me njërin prej të cilëve ka qenë në makinë.

Gjithashtu, është konsideruar problematike prania e dosjeve në automjetin ku ndodhi atentati ndaj tij, dosje që konsideroheshin të humbura nga Prokuroria e Durrësit.

Vetë prokurori ka kundërshtuar këto gjetje, duke i konsideruar jo të bazuara në prova, por vetëm në gjetje mediatike.

Nga ana tjetër, prokurori akuzoi politikën, duke thënë se pikërisht sulmet politike ndaj tij mund të kenë sjellë atentatin ndaj tij.

Theo Jacobs, vëzhgues i ONM, tha: “Kur unë po përgatitesha për seancën, nëse do isha drejtues prokurorie, nuk do doja të të kisha ty në skuadër. Kam kontrolluar deklaratën periodike tuajën. Ju keni detyrë të paraqisni deklaratë të plotë. Ju fitonit 250 mijë euro në vit nga puna si avokat. Nuk e di se sa avokatë ishin në gjendje të fitonin 250 mijë euro në vit. Nga vendi nga vij unë, shumë avokatë do të ishin të lumtur nëse në 2005-2007 do fitonin nga 250 mijë euro. Një prokuror në atë kohë fitonte një të dhjetën e pagës suaj si avokat.
Ju lëviznit në shoqërinë e personave të gabuar. Ka të bëjë në shumicën e rasteve, sidomos në Shqipëri, ku qytetarët i njohin personat me të cilët ju lëvizni. Ju thatë që personat nuk janë të dënuar. Duke thënë që ata nuk janë dënuar, në një kontekst shqiptar ku 60 për qind e prokurorëve e gjyqtarëve janë shkarkuar, të thuash "nuk janë dënuar" është argument i dobët. Shumë njerëz, kur kanë hyrë në sistem, mendojnë se ky është një vend ku ata kanë më shumë të drejta së qytetarët e tjerë. Është e kundërta. Jo vetëm që je i detyruar nga ligji, por edhe nga antiligji. Duhet të evitosh shoqërinë me persona që nga komuniteti vlerësohen si të gabuar. Një punë që të krijon pak vetmi dhe nuk je në qender të vëmendjes, pasi profili i gjyqtarit e prokurorit është i tillë. Kjo është arsyeja se nëse do isha kryeprokuror, nuk do të doja që ju të ishit në skuadrën time”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos