Iu larguan luftës, familja ukrainase udhëtoi 21 ditë për të mbërritur në Vlorë

Nga A2 CNN
15 Mars 2022, 15:10 | Aktualitet
Iu larguan luftës, familja ukrainase udhëtoi 21 ditë për

Ksenia Breus, një nënë ukrainase, sapo ka mbërritur në Vlorë. Ajo nuk priti 24 shkurtin, ditën e sulmit rus mbi Ukrainë për t’u larguar, por e la Kievin një ditë para së bashku me fëmijët e saj. Udhëtimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por tashmë i gëzohen faktit që kanë mbërritur në një shtet të sigurt e të qetë.

Thotë se në Vlorë ka miq, pasi përpara luftës ishte një turiste e rregullt e bregdetit shqiptar. “21 ditë udhëtova nëpër botë me fëmijët e mi, me makinën time. Fillimisht, dolëm nga Ukraina dhe shkuam në Moldavi, më pas drejt Rumanisë, kaluam në Bullgari, e më pas hymë në Maqedoninë e Veriut dhe në fund mbërritëm këtu në Shqipëri. Unë kam pasaportë europiane, pasi më parë udhëtoja shumë, e kisha më të thjeshtë të kaloja, ndërsa familja tjetër ka vetëm dokumentet ukrainase. Burri im është Ukrainë, atij nuk i lejohet ta lërë vendin. Kam folur me të, situata është shumë e frikshme dhe shumë e rrezikshme”, thotë Ksenia.

Fillimisht, familjet e para i priti bashkëkombësi i tyre Anzar Popov, i cili ka muaj që jeton në Shqipëri. “Unë jetoj në Vlorë prej gjysmë viti, më pëlqen ky qytet dhe e dua Shqipërinë. Mamaja ime jeton në një fshat të Kievit, xhaxhai im është në Kiev po ashtu, situata është shumë e keqe pasi raketat balistike ruse kanë shkatërruar qytetin. Është e vështirë t’i marr të afërmit e mi në Vlorë pasi në Kiev dhe Kahrkhiv janë zona të nxehta dhe ka luftime me armë të rënda. Ka mungesë të naftës dhe benzinës dhe është e vështirë që të nisesh me makinë, pasi avionët janë bllokuar. Disa prej njerëzve që janë nisur me makina janë vrarë, është situatë e rrezikshme”, tregon ai.

Familjet e ardhura nga Ukraina do të strehohen në një bazë në Sarandë, pasi drejtoria e kufirit në Vlorë shprehet se nuk ka ambientet e duhura të strehimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos