
Pano Soko, aktivist dhe ekspert ekonomie, ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN nga ku foli për protestën për rritjen e çmimeve në vend, si dhe komentoi paketën e propozuar nga qeveria.
Ai theksoi se nëse qytetarët nuk do të kishin dalë në protestë, nafta do të kishte shkuar 300 lekë për litër. Soko u shpreh se, aktualisht, qeveria nuk është duke futur lekë për të ndihmuar qytetarët, por po e shfrytëzon krizën për të fituar edhe më shumë.
“Qeveria ka kapur vetëm një pjesë shumë të vogël të asaj që po ndodh realisht. Impakti është shumë i madh. Inflacioni që po përjeton Shqipëria është një fenomen që e ka kapur gafil, pasi ne vinim nga një krizë tjetër dhe patën një revansh të çmimeve që vazhdoi të thellohej më tej pas luftës. Ndikimi i kësaj krize ka qenë i gjithanshëm. Nuk u bë asgjë për çmimin e naftës, që ishte edhe pika e takimit. Rama hoqi dorë kur tha se edhe 40 mijë veta të dalin në shesh, nuk i heq taksat e naftës.
Nëse nuk do të kishte një reagim qytetar, skenari do të ishte i tillë, nëse nuk do të kishte reagim do të kishte plasur spekulimi, do të kishte shkuar 300 lekë çmimi i naftës.
Protesta i trembi të gjithë sepse pati reaksion popullor, u tremb edhe qeveria. Çështja është që të arrijmë deri te synimi real që janë çmimet. Ndihma duhet të jetë e plotë. Qeveria nuk po fut lekë, por po fiton lekë nga kjo krizë. Është e pandershme që për ne të ketë luftë, ndërsa për qeverinë të ketë fitime”, u shpreh Soko. (A2 Televizion)