Izraeli deporton në Francë avokatin e akuzuar për terrorizëm

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2022, 10:01 | Bota
Izraeli deporton në Francë avokatin e akuzuar për terrorizëm

Autoritetet në Izrael bëjnë me dije se kanë deportuar një avokat palestinezo-francez të të drejtave të njeriut, i cili akuzohet se ka vënë në rrezik sigurinë e shtetit.

Salah Hamouri, 37 vjeç, u shoqërua në një fluturim për në Francë nga policia të dielën dhe iu hoq e drejta e qëndrimit në Jeruzalem sepse dyshohet se është anëtar i një organizate terroriste.

Në një deklaratë, Ministria e Brendshme në Izrael bën me dije se Hamouri kishte organizuar, frymëzuar dhe planifikuar të kryente sulme terroriste kundër qytetarëve dhe personaliteteve izraelitë.

Ministrja e Brendshme Ayelet Shaked, pjesë e qeverisë izraelite në largim, e përshëndeti këtë veprim si një sukses të personelit.

“Ky ishte një proces i gjatë dhe i stërzgjatur dhe është një arritje e jashtëzakonshme që unë munda të bëja dëbimin e tij pak para përfundimit të detyrave të mia, duke përdorur mjetet që kisha në dispozicion për të çuar përpara luftën kundër terrorizmit”, shkruhet në deklaratën e ministrit.

Hamouri ka nënshtetësinë franceze nëpërmjet nënës së tij. Ai punon për organizatën “Addameer”, një grup palestinez që ofron ndihmë juridike dhe mbron të drejtat e të burgosurve, i cili u përcaktua një organizatë terroriste nga Ministria izraelite e Mbrojtjes në tetor 2021, së bashku me pesë grupe të tjera të shoqërisë civile palestineze. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos