
Izraeli iu ndaloi hyrjen në vend dy kritikëve më të mëdhenj të tij, ligjvënësve demokrate të Shteteve të Bashkuara, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar. Kongresmenet kishin planifikuar një vizitë në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor dhe në Lindje të Jeruzalemit.
“Vendimi është marrë dhe ato nuk do të lejohen të hynë në vend”, theksoi Ministria e Jashtme e shtetit hebre.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Izraelit që të mos lejojë vizitat e Tlaib dhe Omar, të cilat janë dy gratë e para myslimane që zgjidhen në Kongres. “Ato e urrejnë Izraelin dhe popullin hebre. Nuk mund të bëjmë asgjë për t’i ndryshuar mendjet e tyre”, deklaronte presidenti amerikan.
Dy ligjvënëset amerikane kanë ngritur zërin në mbështetje të shtetit të Palestinës dhe dënojnë Izraelin për ndërtimet e paligjshme në territoret e pushtuara. Ligjet e shtetit hebre iu ndalojnë hyrjen çdo personi që bën thirrje për bojkot të Izraelit.
Lejimi i vizitës, e cila parashikohej të ndodhte gjatë kësaj fundjave, ishte konfirmuar fillimisht nga ambasadori izraelit në SHBA si shenjë respekti për marrëdhëniet bilaterale. Por qeveria e drejtuar nga kryeministri, Benjamin Netanjahu, ndryshoi plotësisht mendje duke marrë shkas dhe nga thirrja e kreut të Shtëpisë së Bardhë. (A2 Televizion)