Izraeli shënon Ditën e Kujtesës së Holokaustit nën hijen e pandemisë

Nga A2 CNN
21 Prill 2020, 13:28 | Bota

Mijëra banorë të Izraelit kanë përkujtuar mëngjesin e kësaj së marte, Ditën e Kujtesës së Holokaustit, në një kohë kur vendi është goditur dhe nga pandemia e koronavirusit.

Ashtu edhe siç është bërë traditë çdo vit, i gjithë vendi ndaloi për dy minuta kur sirenat ranë në orët e para të mëngjesit të së martës, për të përkujtuar rreth 6 milionë hebrenjtë që u vranë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shoferët ndaluan makinat dhe dolën në rrugë për të nderuar këtë ngjarje ndërsa mijëra të tjerë të izoluar në shtëpi nga pandemia e koronavirusit, dolën në dritare dhe ballkone.

Një ceremoni që u mbajt në Qendrën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit në Yad Vashem, ishte regjistruar më herët dhe në të shfaqeshin dhe mesazhet e presidentit Rivlin dhe kryeministrit Netanyahu.

"Rreziqet që po përballemi në këto ditë nuk mund të zvogëlojnë frymën e kësaj dite të shenjtë. Edhe në këtë kohë të vështira të përballjes me pandeminë, ne dëgjojmë dhe i bëjmë vend kujtimit të së kaluarës, viktimave dhe të mbijetuarve që përballuan orën më të errët të njerëzimit", deklaroi presidenti Rivlin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos