Humbja e shumë tankeve në Ukrainë është shenjë që pushtimi rus nuk është duke shkuar sipas planeve. Me qindra mendohet se janë tanket e shkatërruar në Ukrainë, numri të cilëve mund të arrijë në 580.
Ekspertët ushtarak thonë se tanket ruse vuajnë nga një defekt i cili vijon prej dekadash dhe që Perëndimi e di shumë mirë cili është. Bëhet fjalë për shpërthimin e kullës së tankut.
Gjithçka ka të bëjë me konservimin e stivës së municioneve. Ndryshe nga tanket moderne perëndimore, tanket ruse si T-72, T-80, por edhe tanku më modern që rusët kanë dërguar në Ukrainë T-90, një pjesë e predhave i mbajnë në kullën e tankut. Kjo i bën tanket ruse shumë vulnerabël edhe nga një goditje direkte, e cila mund të shkaktojë një efekt zinxhir të shpërthimit të predhave, të cilat janë rreth 40 të tilla.
Rezultati është një shpërthim shumë i fuqishëm, i cili në shumicën e rasteve bën që kulla e tankut të shkëputet nga shasia, duke fluturuar për disa metra në ajër dhe duke shkaktuar vdekjen e ekuipazhit të tankut.
Sipas ekspertëve, ky problem nga ushtritë perëndimore është vënë re në që në luftën e parë të Gjirit Persik.
Ndërkohë, një problem tjetër me të cilin tashmë ushtria ruse është duke u përballur, është zëvendësimi i ekuipazheve të tankeve. Për specialistët, trajnimi i një ekuipazhi kërkon në rastin më të mirë rreth 12 muaj. (A2 Televizion)

