
Franca arriti për të dytin kompeticion radhazi finalen e Kampionatit Botëror, pasi mposhti në gjysmëfinale 2-0 Marokun e surprizave.
Megjithatë, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit në A2 CNN, u shpreh se ka mbetur i zhgënjyer me lojën e francezëve në gjysmëfinale ndaj Marokut. Ai u shpreh se me cilësitë që kampionët në fuqi të botës kanë duhet të kishin bërë më shumë dhe ta kishin mbyllur ndeshjen shumë më shpejt.
“Ky kampionat ka pasur shumë surpriza. Megjithatë, ndeshja me Francën nuk ishte surprizë. Unë prisja më shumë nga Franca, e cila pas golit të parë nuk ishte më aktive në sulm, filloi duke u tërhequr. Nëse do të luajnë kështu në finale do ta kenë të vështirë. Jam shumë i zhgënjyer nga Franca, me atë kualitet që kanë duhet të kishin bërë shumë më shumë”.
Te Maroku, Lala vlerësoi Amrabat, duke thënë se është një nga lojtarët që ka bërë një kampionat të shkëlqyer.
Amrabat është një nga lojtarët më të mirë që ka luajtur në këtë Kampionat Botëror. Ka qenë shumë aktiv, ka fituar shumë dyluftime, madje edhe ndaj Mbappe. (A2 Televizion)