Janë pro kërkesave për paga, por në rrethe shumica e pedagogëve protestojnë në heshtje

Nga A2 CNN
18 Tetor 2022, 15:19 | Aktualitet
Janë pro kërkesave për paga, por në rrethe shumica e

Të gjithë janë dakord se rrogat duhet të rriten, por shumica ka zgjedhur të protestojë në heshtje pa u parë nga askush. Kjo është panorama e protestës së pedagogëve në universitetet e rretheve në ditën e dytë të protestës së shpallur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve. Në orën 10 ashtu siç ishte paralajmëruar në universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit një pjesë e pedagogëve, por shumë pak krahasuar me numrin total të tyre, kanë dalë në protestë pranë godinës kryesore. Për kreun e sindikatës në universitetin e Elbasanit, mësimi është bojkotuar në shumicën e fakulteteve, por forma dhe mënyra e protestës është e lirë për çdo pedagog.

Edhe në Korçë, vetëm 20 pedagogë nga 120 që janë në total, zgjodhën të protestojnë në orën 10:00, duke dhënë një sinjal që edhe atje ka një pakënaqësi për nivelin e pagave, por që shprehet nga një pjesë e vogël e pedagogëve.

Në universitetin e Gjirokastrës në orarin e përcaktuar për protestë asnjë nga pedagogët nuk ishte ne oborrin e godinës së universitetit, por një prej pedagogëve shprehet se shumica janë dakord me kërkesat e sindikatës së tyre.

Ndërkohë në Shkodër pedagogët nuk kanë zgjedhur të protestojnë fizikisht, por kanë bojkotuar mësimin në auditorë dhe kanë diskutuar dhe sqaruar kolegët në lidhje me ecurinë e protestës.

Sakaq në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, pedagogët duket sikur janë indiferentë ndaj Lëvizjes Sindikaliste të ndërmarrë ditët e fundit. Ato janë shprehur se kanë vijuar rregullisht procesin mësimor, edhe pse shumica e auditorëve ishin bosh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos