Java e modës në Paris, "Balenciaga" ia dedikon shfaqjen luftës në Ukrainë

Nga A2 CNN
7 Mars 2022, 14:53 | Showbiz

Sfilata e Balenciagës në Paris nisi ndryshe, me lutje e qirinj të ndezur, për nder të Ukrainës dhe në homazh të viktimave të luftës.

Gjithçka ishte ndryshe, ideuar nga drejtoresha krijuese e koleksionit të ri vjeshtë/dimër 2022, me modelet që u ngjitën mbi pasarelën me dëborë, me çizmet në takë të lartë e pellush të rëndë veshur. Ashtu si veshjet e koleksionit të ri, edhe fantazia e shtëpisë spanjolle të modës ishte e paarritshme, sidomos në ditët kur miliona ukrainas përballen me eksodin e dramën e luftës.

E për drejtoreshën krijuese të Balenciagës, Demna, gjithçka ishte personale. Lufta në Ukrainë ka lënë trauma në jetën e saj që prej vitit 1993, kur e njëjta gjë ndodhi me vendlindjen e saj. Në atë kohë vetëm 12 vjeçe, Demna ishte vetëm një nga 250 mijë gjeorgjianët që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre prej separatistëve në rajonin e Abkazisë gjatë luftës civile, duke kaluar në këmbë malin kaukaz bashkë me familjen.

Qark pasarelës, në secilën prej 525 ndenjëseve për të ftuarit, ishin vendosur 525 flamuj ukrainas.

Pjesë e koleksionit të ri, të krijuar shumë përpara se lufta në Ukrainë të nisë, e të prezantuar gjatë Javës së Modës në Paris, ishin veshjet me silueta të guximshme, xhaketat e lëkurës, xhins apo edhe tuta.

Balenciaga sugjeron për vjeshtën e dimrin e ardhshëm xhupa të mëdhenj e të rehatshëm, pantallona ushtarake e pallto me kapuçë, bashkë me fustanet elegante, kryesisht të gjatë dhe jumpsuit të shoqëruar me doreza e shall.

Aksesorë të pandashëm janë edhe syzet dhe çantat, kryesisht të mëdha. Balenciaga i qëndron besnike ngjyrave të dimrit, e zezë, kafe e grip, por guxon edhe me lule kryesisht në të verdhë dhe blu.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos