
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat pasditen e së premtes, deklaroi se “për hallin e tij, që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër SHBA. Ka një pikë kur boll është boll”.
“Në Kuvendin tonë të 18 dhjetorit, ne avanacuam me vendimet e nismat tona për një Parti Demokratike të pastruar nga hijet e së shkuarës, nga krimi dhe korrupsioni brenda nesh, me bindjen se si është PD sot do të jetë Shqipëria nesër. Ne morëm vendime të guximshme, në linjë me aleatin tonë strategjik, SHBA, që e ka vendosur luftën kundër korrupsionit si përparësi të politikës së saj të jashtme dhe ka venë në shënjestër regjimet autokratike, armike të demokracisë dhe mirëqenies. Ne e kthyem në standart se ata që shpallen non grata nga SHBA nuk mund të zgjidhen në funksione drejtuese në PD”, tha Basha.
“Ne i kemi hequr çdo alibi Edi Ramës për të vazhduar qeverisjen e tij të korruptuar deri në palcë, të ambalazhuar me estradë, cirk, mashtrime dhe batuta të dala boje tashmë. Ne do të vazhdojmnë si protagonistë të ndryshimit, me bindjen se jemi forca e vetme politike që mund t’i japë fund dhe do t’i japë fund regjimit të Edi Ramës”, shtoi Basha.
“Lëvizjet e Sali Berishës, që nga shtatori kur unë mora vendimin e për pezullimin e tij, e sot e gjithë ditën, kanë shërbyer për të zhurmuar e devijuar fokusin e betejës sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë. Për hallin e tij, që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër SHBA. Ka një pikë kur boll është boll”, theksoi Basha. (A2 Televizion)