Kafshët të pambikëqyrura, kërcënohet i gjithë zinxhiri i sigurisë ushqimore

Nga A2 CNN
19 Tetor 2022, 15:32 | Aktualitet

“Minë me sahat” që kërcënon seriozisht të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore. Në këtë përfundim del Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një raport-kontrolli mbi identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve.

Pas kontrolleve, KLSH ka gjetur se Drejtoritë e Veterinarisë dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë, si dhe Mbrojtjes së Bimëve nuk përcjellin në kohë konfirmimin e sëmundjeve, mungon informacioni për eliminimin e kafshëve nga data e konfirmimit pozitiv, si dhe të dhënat mbi procesin e përditësimit të regjistrimit të fermave. Gjithashtu, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit mungojnë të dhëna në lidhje me rastet pozitive me Brucelozë te kafshët.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas inspektimeve të kryera vlerëson se në tregjet e kafshëve në Rrogozhinë, Zhupenzë e Tapizë, 10 deri në 20 për qind e kafshëve që blihen e shiten janë pa certifikata e matrikuj.

Me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, prej vitit 2012 është vendosur sistemi elektronik i gjurmueshmërisë dhe hedhjes së të dhënave mbi identifikimin, regjistrimin, lëvizjen e tyre dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve. Sistemi RUDA duhet të grumbullojë informacionin veterinar dhe blegtoral; të mundësojë identifikimin dhe regjistrimin e fermave dhe kafshëve; të mundësojë zbulimin e hershëm të sëmundjeve, si dhe të mundësojë kthimin e përgjigjes dhe njoftimet alert.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto procese gati pamundësohen nga mungesa e buxhetit të nevojshëm të burimeve njerëzore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos