Rikthim vizash për Shqipërinë? Reagon Ministria e Jashtme: Lajme për të dëmtuar Kosovën

Nga A2 CNN
19 Tetor 2022, 12:13 | Aktualitet
Rikthim vizash për Shqipërinë? Reagon Ministria e Jashtme: Lajme

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar me një deklaratë, këtë të mërkurë, ndaj lajmeve për mundësinë e pezullimit të regjimit pa viza të shtetasve shqiptarë si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë drejt Bashkimit Europian përmes të ashtuquajturës "rrugë ballkanike".

Ministria e Jashtme i rrëzon kategorikisht këto pretendime, ndërsa thekson se “ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa me parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës”.

“Gjatë ditëve të fundit, në disa media, por edhe përmes reagimeve publike të disa forcave politike, është përhapur lajmi për mundësinë e pezullimit të regjimit pa viza të shtetasve shqiptarë si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë drejt Bashkimit Europian përmes të ashtuquajturës “rrugë ballkanike.”

https://a2news.com/2022/10/18/cekia-regjim-vizash-per-shqiperine-rama-opozites-te-gjithe-e-dine-se-kujt-i-eshte-vene-viza-ne-shqiperi/

Dëshirojmë të informojmë qytetarët që këto lajme janë krejtësisht të pavërteta. Nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE-së, e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë. Ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa më parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës. Është për të ardhur keq, që një lajm i tillë i rremë, lehtësisht i verifikueshëm për mediat apo forcat politike, ka gjetur jehonë në sferën publike në Shqipëri.

Shqipëria është një partnere e besuar e BE dhe nëse ka shqetësime për rritjen e numrit të emigranteve të paligjshëm në të ashtuquajturën "rruga ballkanike", ato janë trajtuar e trajtohen me seriozitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë europianë. Vendi ynë ka qenë i pari në rajon, që ka nënshkruar marrëveshjen me Frontex dhe ka një bashkëpunim shembullor me të gjitha agjencitë e BE-së dhe vendeve anëtare në përballimin e emigracionit të paligjshëm. Fakti që në datën 3-4 nëntor, në Tiranë, do të mbahet Ministeriali i Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është shprehje e këtij vlerësimi për punën tonë.

https://a2news.com/2022/10/17/osmani-takon-ambasadoret-te-mos-lejohet-te-vendosen-kritere-shtese-per-vizat/

Ne garantojmë qytetarët shqiptarë se ata nuk rrezikohen aspak dhe në asnjë moment nga e drejta për të lëvizur pa viza në hapësirën e BE”, mbyllet njoftimi i Ministrisë së Jashtme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos