
Eksperti i sigurisë, Avenir Peka, i ftuar në studion e “Dita jonë” në A2 CNN, komentoi çështjen e kamerave të krimit në rrugë.
“Është një operacion i vonuar dhe gjysmak. Më jep përshtypjen e diçkaje që do të përsëritet në të ardhmen. Çështja e kamerave është më e komplikuar sesa thjesht monitorimi. Po të ishte vetëm në një qytet, do të thonim që është mangësi e policisë lokale. Janë individë që jetojnë në shtëpi private, me rrugë të gjata deri në banesën e tyre dhe janë kamera të vendosura për të kontrolluar territorin ndaj bandave rivale ose ndonjë polici të guximshëm. Kur një kryetar i një grupi kriminal markon zonën e vet të banimit me kamera, janë gjëra që i bien në sy kujtdo që kalon andej, nuk ka nevojë për ndonjë operacion të veçantë policie”, deklaroi Peka.
“Në Shkodër, për shembull, ka dy banda kryesore rivale, që kontrollojnë njëra-tjetrën. Këto kamera kanë një qendër kontrolli nëpër banesa, por edhe në celular. Policia i ka ditur dhe i ka mbrojtur. Ajo që ndërlikon situatën është që edhe institucionet e tjera e kanë ditur dhe i kanë mbrojtur. Kjo tregon që ka marrëdhënie të institucionalizuar. Kamerat nuk duheshin lejuar të montoheshin në radhë të parë. Implikimi është i dyfishtë: polici dhe institucione të tjera. Që mua më çon në përfundimin që nuk është çështje lokale, por bashkërendimi bëhet në Tiranë”, shton eksperti i sigurisë. (A2 Televizion)