
Dy efektivë policie janë proceduar në gjendje të lirë dhe po hetohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi mbrëmjen e djeshme janë konfliktuar me njërit-tjetrin, teksa kanë qenë jashtë shërbimit.
Sipas të dhënave, punonjësi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Rigers Iljazi, bashkë me vëllanë e tij, Marjus Iljazi, janë konfliktuar me efektivin e Operacionales, Vladimir Laska, për motive ende të paqarta.
Konflikti ka degraduar dhe sipas të dhënave, të dyja palët raportohet të kenë nxjerrë dhe armët e shërbimit që kishin me vete, por pa i përdorur.
Nga veprimet hetimore rezulton se punonjësi i policisë Vladimir Laska është konfliktuar e përplasur fizikisht, për motive të dobëta, së pari me shtetasin Marjus Iljazi në një dyqan në rrugën “Nikolla Tupe” dhe më pas në debat është përfshirë dhe vëllai i tij po ashtu efektiv policie Rigers Iljazi.
Me marrjen e njoftimit kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 2 Tiranë dhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar palët deri në përfundim të veprimeve të para hetimore. (A2 Televizion)