
Kamioni në të cilin gjendeshin 39 persona të vdekur ka arritur në Britani nga një traget mallrash i nisur nga Belgjika.
Kjo është bërë e ditur nga hetuesit që kanë dhënë detaje të reja lidhur me zbulimin tronditës në një zone industriale në juglindje të Anglisë. Autoritetet britanike zbuluan se kamioni rezultonte i regjistruar në Bullgari, por kontenjeri ishte nisur nga porti i Zebruzh dhe kishte mbërritur në Britani në orët e para të së mërkurës.
Viktimat dhe automjeti janë larguar nga vendngjarja për në një zonë tjetër, ku mund t’u bëhet një ekspertizë më e detajuar. Për identifikimin e tyre do të jetë shumë e vështirë për shkak të dekompozimit. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për emigrantë të paligjshëm, megjithatë ky mbetet dyshimi kryesor i hetuesve.
Autoritetet njoftuan dhe arrestimin e një personi, i cili dyshohet për vrasje.
“Jam shokuar dhe pikëlluar nga ngjarja tragjike në Grays. Policia e Essex ka arrestuar një individ dhe duhet t’u japim atyre hapësirë për të kryer hetimin e tyre”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Priti Patel.
Mediat britanike raportojnë se personi i ndaluar është identifikuar si Mo Robinson, 25 vjeç nga Irlanda e Veriut. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen reagoi dhe qeveria e Londrës, me kryeministrin Boris Johnson që shprehet i tronditur nga ky zhvillim tragjik. (A2 Televizion)