
E quajtën një zgjidhje vendimtare për Sirinë. Në fund të takimit 6-orësh mes Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan, presidentët e Rusisë dhe Turqisë sigluan një marrëveshje të re për Sirinë veriore. Sipas ujdisë forcat siriane dhe ruse do të vendosën në mënyrë të menjëhershme ne zonën kufitare, për të mbikqyrur tërheqjen e trupave kurde. Gjithashtu ushtarët turq e rusë do të zhvillojnë patrullime të përbashkëta.
Luftëtarëve kurdë iu janë dhënë 150 orë kohë për t’u tërhequr 30 km larg të gjithë kufirit nga Eufrati deri në kufirin me Irakun. Dy udhëheqësit u takuan të martën në qytetin e Soçit në Detin e Zi.
“Duke filluar nga ora 12 e mesditës së 23 tetorit, policia ushtarake ruse dhe rojet kufitare siriane do të hyjnë në anën siriane të kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, jashtë zonës së operacionit “Pranvera e Paqes”, për të lehtësuar zhvendosjen e forcave kurde dhe armëve të tyre. Operacioni duhet të finalizohet për 150 orë. Patrullime ruso-turke do të nisin në perëndim dhe lindje të zonës” u shpreh diplomati rus, Sergei Lavrov.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara duhej të skadonte mbrëmjen e së martës dhe Ankaraja kërcënoi të riniste ofensivën edhe më fort se më parë, nëse kurdët nuk do të largoheshin. Aksioni ushtarak i Turqisë erdhi pas njoftimit të papritur të presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria veriore. Kjo gjë sipas analistëve çimentojë ndikimin rus dhe turk në rajon. (A2 Televizion)