
12 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur në një aksident rrugor në Sllovaki ku u përfshinë një autobus dhe një kamion. Ky aksident me një bilanc tragjik viktima konsiderohet si më të rëndët në vend në 10 vitet e fundit
Aksidenti ndodhi në një rrugë me dy kalime pranë qytetit të Nitras, 90 km në lindje të kryeqytetit Bratislava. Shkak për të mendohet të ketë qenë moti i keq me reshje të dendura shiut.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kamioni ka qenë i mbingarkuar dhe si pasojë e lagështirës në rrugë, drejtuesi i tij ka humbur kontrollin dhe më pas është përplasur me autobusin.
Nga përplasja e fortë autobusi ra më pas në një kanal duke zënë poshtë tij dhe disa nga pasagjerët. Raportohet se disa nga viktimat në këtë aksident të rëndë rrugor janë fëmijë.
Pas kësaj ngjarje të rëndë, kryeministri Pellegrini ndërpreu vizitën zyrtare në Qipro dhe vizitoi zonën ku ndodhi aksidenti, si dhe të plagosurit në spital (A2 Televizion)