Kampioni i boksit rikthehet në ring

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2020, 11:25 | Sporte të tjera

Floyd Mayweather do të rikthehet në ring në muajin shkurt për t’u ndeshur me personazhin e famshëm në YouTube, Logan Paul.

43-vjeçari njoftoi për sfidën e madhe, që do të ndodhë më 20 shkurt 2021, përmes një postimi në Instagram të dielën. Edhe pse Paul është thuajse dy dekada më i ri (vetëm 25 vjeç), ka pak gjasa që t’i shkaktojë probleme njeriut që u tërhoq nga boksi profesionist me një rekord prej 50 fitoresh dhe asnjë humbje.

Të dy kanë zhvilluar më parë ndeshje ekzibicioni, duke përfituar shuma të mëdha. Mayweather mendohet të ketë siguruar 100 milionë dollarë për përballjen e tij me yllin e UFC, Conor McGregor, në vitin 2017, dhe 9 milionë dollarë për sfidën me kikbokserin japonez, Tenshin Nasukawa, në vitin 2018.

Ndërsa Paul është ndeshur me “kolegun” e tij në YouTube, KSI, në një ndeshje boksi vitin e kaluar, por u mund. Të dy fituan disa miliona dollarë nga ajo ndeshje.

Përballja e shkurtit do të transmetohet online me pagesë. 1 milionë klientët e parë do të duhet të paguajnë 24,99 dollarë, ndërsa më vonë çmimi do të rritet në 69,99 dollarë. Përveç tifozëve të Mayweather, edhe Paul nuk do të jetë vetëm, pasi numëron 22 milionë ndjekës në kanalin e tij në YouTube. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos