
Gjermania ka zyrtarizuar sot dërgimin e tankeve të saj "Leopard 2", duke i dhënë edhe “dritën jeshile” të detyrueshme vendeve që këto mjete kanë blerë ndër vite dhe dëshironin t’ia dhuronin Kievit, në përballjen pothuajse njëvjeçare me Rusinë.
Por përballë kërkesave të tjera të ardhura nga Kievi, që falënderon por tashmë flet hapur edhe për nevojën e avionëve të avancuar si F-35 dhe Tornado, madje edhe anije luftarake, kancelari Olaf Scholz ishte i qartë në deklaratat e tij.
“E kam sqaruar më parë se nuk do të dërgojmë avionë luftarakë. E përsëris edhe tani. Nuk do të dërgojmë asnjë ushtarë të NATO në Ukrainë, nuk ka ndodhur deri më tani dhe nuk do të ndodhë në të ardhmen”, ka deklaruar kancelari i cili mohoi edhe hipotezën e një “no fly zone” në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Gjermanisë, e cila ka vendosur ta furnizojë me 14 tanke “Leopard 2”.
Dje, Moska paralajmëroi Berlinin se dërgimi i tankeve “nuk është shenjë e mirë për marrëdhëniet e ardhshme”. (A2 Televizion)