
Një president nga populli është i pavarur dhe nuk do të jetë konfliktual. Kështu analisti Mentor Kikia shpreson që ideja e hedhur sot nga kryeministri Edi Rama të merret seriozisht dhe të bëhet realitet. Në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN, ai tha se duhet të ristrukturohet ngrehina ligjore me ndryshimet e plota kushtetuese.
“Nëse vendos t’i drejtohet popullit me referendum zyrtar do të duhet të merret seriozisht me një ristrukturim të ngrehinës ligjore që të mos bëhen shartime, shtesa si të pallati, por një rikonstruksion i plotë me ndryshime kushtetuese. Kjo është një gjë serioze që nuk ndodh shpesh. Lus që të jetë serioze ideja e Ramës se një president nga populli është i pavarur dhe nuk do të jetë konfliktual. Presidenca meta konsumoi gjithçka që dilte në mitingje, konsumoi fushatat elektorale, konsumoi një lëvizje për shkarkimin e presidentit”.
Për Kikinë ligji i ri duhet të zgjerojë fuqitë e presidentit, të cilat janë cunguar duke e shndërruar në një strukturë simbolike.
“Nuk dimë se çdo ketë ky ligj i ri por duhet t’i zgjerohen fuqitë se boll është cunguar dhe është shndërruar në një strukturë simbolike. Duhet konsideruar edhe hipoteza se mund të përgatitet terreni”.
Në lidhje me emrat që qarkullojnë në rrjetet sociale për kandidatë presidencialë, Kikia shprehet se ata nuk përfaqësojnë realitetin dhe vota ndaj tyre nuk është reale.
“S’dua ti fyej këta emra por në kushtet kur nuk ka ende një verdikt që buron nga vota qytetare mendoj që çdo iniciativë është e pamenduar në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq është në kufijtë e qesharakes. Një lloj fushate popullore nuk ka arsye të bëhet. Gjithkush mund të mbledhë votat se presidenti zgjidhet me shumicën e votave në parlament deri sa të ketë modalitet ligji. Nuk përfaqësojnë realitetin, mendoj se nëse do kishte një votë reale, pjesa e shoqërisë që do vinte gishtin do të vendoste të tjerë njerëz. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk votojnë për president në rrjete sociale duke e ditur që vota e tyre nuk ka vlerë”.
Procesin e nisur sot nga mazhoranca për zgjedhjen e presidentit ai e quajti populizëm sikurse këshillimi kombëtar, por të panevojshëm pasi kushtetuta e përcakton qartë zgjedhjen e tij. (A2 Televizion)