
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se me personat non grata mban karrigen e pushtetit. Në të njëjtën linjë edhe me ish-kreun demokrat Lulzim Basha, Alibeaj tha se me avokatinë ndaj Ornaldo Rakipit, kryeministri dëshmoi qartë se ai është ideatori i masakrës elektorale të 25 prillit. Në një postim në Facebook, ai tha se PD ka denoncuar përfshirjen e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos në fushatën për zgjedhjen e kryebashkiakëve.
“Asnjë habi nga ishulli i non grata-ve.
E sotmja ishte prova e radhës se Edi Rama e ka të pamundur të ndahet nga non gratat, sepse vetëm falë tyre ai arrin të mbajë karrigen e kryeministrit.
Vendimi i sotëm i grupit parlamentar të PS është qartas dëshmi e pushtetit dhe pengmarrjes që klubi i nongratave ka në politikën shqiptare. PD e ka denoncuar kohë më parë përfshirjen e Aqif Rakipit në procesin e blerjes së votave. Ky fakt i konfirmuar dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk arrit ta bindë Edi Ramen dhe deputetet e tij se votat e blera për llogari të të birit duhet të jenë një alarm për ecurinë normale të parlamentarizmit..
Me avokatinë e sotme ndaj Ornaldo Rakipit, kryeministri dëshmoi qartë se ai është ideatori i masakrës elektorale të 25 prillit. Zbatuesit e kësaj masakre janë grupi i non gratave që sot janë ende aktivë në strukturat e PS. Jo rastësisht dhe në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, PD denoncoi përfshirjen e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos në fushatën për zgjedhjen e kryebashkiakëve.
Askush nuk habitet pra nga ishulli i non grata-ve ku çdo gjë është e vjedhur!”, shkruan Alibeaj. (A2 Televizion)