
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar verifikimet e Prokurorisë së Përgjithshme për 3 kandidatë për deputetë të zgjedhjeve qendrore të 25 prillit 2021.
Socialisti Artan Bitri që garonte në Qarkun e Durrësit, u gjet në kushtet e ndalimit për t’u zgjedhur apo ushtruar funksionin e deputetit.
Sipas komisionierit Celibashi, Bitri nuk ka deklaruar 1 muaj burgim në Itali për emigracion të paligjshëm, ndërsa ka mbajtur të fshehtë dy emra të tjerë që kishte përdorur në shtetin fqinj.
Komisioneri vendosi pajtueshmërinë me mandatin e deputetit për kandidatin e LSI-së, Ashim Tafilaku.
Ndërsa për kandidatin Dashamir Tahiri, verifikimi u shpall i përfunduar pa marrë një vendim, me arsyetimin se ka humbur objekti dhe qëllimi i procedurës administrative të filluar përpara ditës së zgjedhjeve. (A2 Televizion)